E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, intrigat që përplasin liderët

Një vit për t’u harruar nga partitë e majta. Sherre, diversione, kulisa dhe sulme personale, për të ulur profilin e kryetarit të PS-së dhe për të luajtur blofin për lojën e ardhshme parlamentare. Pse nuk kanë sukses ndërmjetësimet dhe kush është fajtori i vërtetë i acarit mes partive më të mëdha të opozitës.

Në fund të dhjetorit 2008, disa të “urtë” më shumë jashtë se brenda PS-së, u ngarkuan me misionin e vështirë për të afruar lidershipet e dy partive kryesore të së majtës: PS-së dhe LSI-së. Pas një jave angazhimesh dhe distancimesh, gjithçka po rrjedh në hullinë e mëparshme dhe palët i kanë armët ngrehur si më parë. Kështu ka ndodhur edhe më parë, dhe faji nuk është as i staturës së ndërmjetësve dhe as i mosgatishmërisë së krerëve për të vendosur “paqen”.

Në fillim të shtatorit 2008, ndërmjetësin e bënte një botues i njohur në Tiranë, mik edhe i Ramës edhe i Metës. Më saktë mesazherin, jo si rëndom me celular, por kokë me kokë. Nga njëra anë merrte mesazhin e kryetarit të PS-së dhe ia çonte kryetarit të LSI-së te selia në Tiranën e Re. Kjo ndodhte paradite dhe në drekë ishte qartësuar gjithçka në raportin kërkesë-ofertë. Edi Rama i kishte dërguar një mesazh shumë të shkurtër dhe të qartë Ilir Metës: Çfarë kërkon ai për të shuar këtë sherrnajë që po bren prej kohës së para zgjedhjeve të 3 korrikut 2005 kampin e së majtës. Meta, si i sprovuar me situata të tilla, kishte dalë te thembra e Akilit në trupin e së majtës, të ngritur prej vitesh si pika vendimtare për bashkim të paqtë dhe afatgjatë, jo vetëm mes dy forcave kryesore, por edhe mes të gjithë kampit të majtë: “Unë or vlla, po nuk mora shumicën e votave të së majtës në zgjedhjet e vitit 2009, do të jem i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm dhe nuk kam investuar gjithë jetën time në politikë, që të kërkoj medoemos postin e Kryeministrit”. Stuhia në gotë kishte mbaruar mes dy liderëve të së majtës, mes të cilëve, prej më se dy vitesh mbetet hendeku se kush do të jetë Kryeministri, pas fitores së zgjedhjeve në qershor 2009. Por furtuna vazhdoi rrugën e saj, me të tjera pretekste, por me të njëjtën retorikë, që prej tre vitesh ngazëllen kryetarin e PD-së, Berisha, duke treguar se nuk është aspak emri hipotetik i shefit të ardhshëm të qeverisë, por është loja për ta shitur vetëm sa më shtrenjtë, duke luajtur edhe me blofin. Duke luajtur edhe me faktin se PS-ja, kur vjen stina parazgjedhore dhe mendon për pushtet afatgjatë, bën lëshime përballë një partneri me oreks pa fund, që shprehet se “ne nuk kemi se çfarë të humbasim”.

Motoja “të luash fort”, ishte kauza e pashpallur e LSI-së prej krijimit të saj në shtator 2004. Brenda pak muajve ajo arriti të bëhet parti parlamentare, megjithëse ishte dhëmb për dhëmb me PS-në zgjedhjet e 3 korrikut. Me vetëm 5 deputetë pas zgjedhjeve parlamentare, sot ka krijuar grupin parlamentar “E majta për integrim”, me 9 deputetë dhe megjithatë bën shamatë më të madhe se grupi kryesor i opozitës, PS-ja, me 36 deputetë. Për të mos mbetur vetëm brenda Kuvendit. Pas një kërcimi akrobatik në 28 korrik 2006 dhe protestës së dhunshme, grupi i Metës arriti të marrë një anëtar në KQZ, pra duke pasur edhe të drejtën për anëtarë në komisionet zonale të numërimit të votave, zhvillim i rëndësishëm për një parti që pretendon se iu masakrua vota nga mungesa e komisionerëve në zgjedhjet e vitit 2005. LSI-ja ishte aleatja e fundit e partive të majta në opozitë që firmosi me shumë mundim marrëveshjen “Bashkë për të Ardhmen” për zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007. Dhe me shumë lëshime nga PS-ja. Marrëveshja e nënshkruar më 18 janar i jepte LSI-së 60 komuna dhe bashki, ndërsa në 10 të tjera ajo do të konkurronte me PS-në. Pas fitores së koalicionit të majtë në shumicën e qendrave urbane të vendit, leksioni ishte qartësisht i kuptueshëm: e bashkuar, PS-ja dhe aleatët e saj, kanë shumicën e elektoratit. Në LSI u kuptua si një armë më shumë, e cila falë mbështetjes së PS-së, arriti të fitojë bashki dhe komuna të rëndësishme, duke zgjeruar jo vetëm hartën e ndikimit, por edhe pretendimet për të nesërmen. Aq shumë sa për të hedhur në erë edhe marrëveshjet për zgjedhje të tjera, që nuk kanë ndonjë peshë në hartën elektorale të vendit, por janë teste për të tatuar pulsin e partive dhe anëtarësisë. Disfata e së majtës në zgjedhjet e pjesshme në komunën e Kasharit në korrik 2008, tregoi se PD-ja mund të fitojë lehtësisht përballë një të majte që kacafytet, edhe në një zonë ku skandalet më të mëdha të korrupsionit janë kryer nga kryekomunarët e PD-së. Fatkeqësisht, rezultati i Kasharit, ku kandidati i PS-së doli i fundit, i dha krah krahut ekstremist të LSI-së që të rrisë dozat e shantazhit ndaj selisë rozë, e cila nuk kishte bërë fushatë për kandidatin, që për më tepër kish pasur post të lartë para viteve ’90.

Nëse për zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007, LSI-ja luftoi deri në minutën e fundit për të marrë mbështetje për 60 zona elektorale, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të qershorit 2009, në LSI, edhe militanti më i fundit beson se partia e Metës do të fusë në Parlament në korrikun 2009 rreth 30 deputetë. Shifra që mbrohet me fanatizëm, është shumë larg anketimeve të pavarura që i japin LSI-së, të paktën deri në 10 deputetë, nëse ka edhe mbështetjen e PS-së. E ndërgjegjshme se nuk ka këllqe për kaq mandate deputetësh, në një sfidë të vërtetë elektorale, LSI-ja është përpjekur të rrëmbejë ç’të mundë nga PS-ja, siç ishte rasti i largimit të Petro Koçit. Një javë pas masakrës qeveritare në Gërdec, LSI-ja sulmoi kreun e PS-së pse kishte vendosur që protestën popullore të 22 marsit ta bënte me një marshim të heshtur, në vend që të kërkonte dorëheqjen e Kryeministrit Berisha. Një javë pas vrasjes së dëshmitarit kryesor të trafikut të municioneve, Kosta Trebicka, më 12 shtator 2008, LSI-ja nuk iu bind sërish thirrjes së PS-së për të protestuar pa flamuj partiakë. Drejtues së LSI-së, përkundrazi përgatitën banderola 10 metroshe për t’i shpalosur në mënyrë provokuese kur të merrte fjalën kreu i PS-së. Viti 2008 ishte kulmi i sulmeve mediatike ndaj Kryetarit të PS-së, njëherësh Kryetar i bashkisë së Tiranës. Ndonëse me vonesë, LSI-ja kishte protestuar bashkë me PS-në kundër shkatërrimit politik që PD-ja i bëri mbikalimit te “Zogu i Zi”, apo bllokimit të punimeve në rrugët e Tiranës, në nëntor 2005. Por, plane urbanistike si ai i Liqenit, u sulmuan më shumë nga LSI-ja se PD-ja, për të treguar se si Rama dhe Berisha bashkëpunojnë për betonizimin e kryeqytetit. Retorikë edhe më e zjarrtë për konsensusin bipartizan për Kodin Zgjedhor. Në shtator, Meta akuzonte se: “vazhdon politika e faktkryer nga lidershipi i dy partive të vjetra për ta zvarritur këtë proces pafundësisht, në mënyrë që të dëmtohet sa më shumë cilësia e kodit dhe e vetë zgjedhjeve”. Greva e pasuksesshme e urisë në mjediset e Kuvendit në nëntor, ishte shprehje e panikut që ka mbërthyer partitë përballë një kodi zgjedhor që të tregon se sa takat elektoral ke realisht.

Në PS, “xhaketat e vjetra” nuk duan të japin më serume për një LSI mosmirënjohëse, siç u tregua pas zgjedhjeve vendore 2007. Publikisht, vetëm Ylli Bufi apo Erion Braçe kishin dalë kundër marrëveshjes parazgjedhore të janarit 2007, por ka pasur edhe shumë të tjerë, të cilët sërish duan të jenë sa më në krye të listave të kandidatëve në të 12 qarqet e vendit, për të qenë sërish fitues mandatesh. Por, përballë tyre janë “30 emrat” që pretendon LSI-ja të fusë në Kuvend në korrik 2009, por futja e tyre në “listat” e PS-së ua zvogëlon shumë shanset dhe…ndaj zjarri duhet mbajtur ndezur.

Në qershor 2005, Edi Rama, duke komentuar acarin mes Kryeministrit Nano dhe Kryetarit të LSI-së Meta, ishte shprehur: “Problemi është te një vullnet dhe dëshirë, që janë gjithnjë arma e më të madhit dhe më të fortit dhe dorën e shtrin gjithnjë më i madhi, më i forti, nëse është vërtet i tillë”. Vullnet dhe dëshirë nuk kishte dhe i forti iku nga skena politike bashkë me PS-në nga pushteti. Për fat të mirë, sot ende ekziston vullneti dhe dëshira, paçka se intrigantët përreth nuk duan duarshtrëngime”.

Profecia e Ramës në 2005-n

Fitorja e Berishës, eksperiment me përmasa dramatike

Dy javë më parë, Edi Rama bënte një parashikim të zymtë për vendin, nëse në 2009-n fitues është përsëri Berisha. “Kjo gjeneratë ka mbaruar”, - shprehej ai. Tre vite më parë, atë që do të ndodhte pas zgjedhjeve të 3 korrikut, Rama e kishte parashikuar më së miri që përpara se Berisha të vinte në pushtet, jo vetëm për daljen e së majtës në opozitë, rikthimin e të njëjtit Berishë pas tetë viteve në opozitë destruktive, por edhe për regresin dramatik që do të merrte kursi i Shqipërisë nën regjimin e demokratëve.

Në një intervistë të qershorit 2005, Rama shprehej se “edhe sondazhet më të kontestuara thonë që bashkimi i së majtës i lë prapa kundërshtarët tanë”, duke i bëri thirrje ish-Kryeministrit të atëhershëm, njëherësh kryetar i PS-së, që të shtrinte dorën e bashkëpunimit me LSI-në, që ishte themeluar vetëm nëntë muaj më parë, si një lëvizje anti-Nano. Zëri i Ramës ra në vesh të shurdhër dhe i takoi atij, për të cilin kishte bërë parashikimin e gjithë asaj që ka ndodhur në vend pas shtatorit 2005, kur pushteti qendror kaloi në duart e PD-së: “Në rast se vota do të shkonte në drejtimin e gabuar, do të ishte një votë për të shkuarën, për të sjellë sërish në krye të vendit një njeri, i cili mishëron një dështim të madh, i cili lidhet në kujtimet e çdo shqiptari me një kohë që s'duhet të kthehet më…”

Ato që po thuhen edhe në fundvitin 2008, Rama i kishte thënë 42 muaj më parë, kur shprehej: “Do të ishte një aventurë dhe një eksperiment që mund të merrte përmasa dramatike dhe ju siguroj që, përveçse opozita dhe përkatësisht kandidati i saj për Kryeministër, përfaqësojnë një kërcënim për lirinë dhe sigurinë e individit në një përmasë të kuptueshme brenda një sistemi si ky, sepse unë nuk e besoj alibinë se ka ndryshuar koha, që është forcuar sistemi dhe, për këtë arsye, zotëria dhe të tjerët nuk mund të sillen në këtë mënyrë, unë nuk e besoj se bolshevikët dhe njerëzit me mentalitet prej bajraktari komunist nuk mund të ndryshojnë…”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›