Shteti shqiptar do të ketë të drejtë të dëbojë me forcë një të huaj
Qeveria ka miratuar ditën e djeshme, gjatë mbledhjes së qeverisë, projektligjin për të huajt, ku përcakton të gjitha procedurat e hyrjes dhe daljes në territorin e Shqipërisë për të gjithë të huajt. Shteti shqiptar do të ketë të drejtën e largimit me forcë ose të dëbimit të një të huaji. Kjo është e sanksionuar në projektligjin për të huajt, i cili është paraqitur në qeveri nga Ministria e Brendshme dhe pritet të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme. Në bazë të këtij ligji, institucioneve të shtetit shqiptar i jepet e drejta e largimit të të huajit në rastet kur nuk përmbush kushtet ligjore për të qëndruar në Shqipëri. Në këto raste ai ka të drejtë të bëjë ankimim në gjykatë dhe në rastet kur gjykata jep vendim dhe i huaji nuk largohet në bazë të vendimit, atëherë shteti vendos ta dëbojë me forcë. Kjo edhe në rastet kur qëndrimi i tij në vendin tonë rrezikon rendin dhe sigurinë publike, ose në rastet kur ky person është shpallur person i padëshirueshëm. Një tjetër masë e rëndë për të huajt e parashikuar në këtë projektligj është dhe masa e ndalimit dhe mbajtja e tij në qendrën e mbyllur, e cila është një qendër që krijohet dhe funksionon në bazë të rregullave të vendosura me vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo qendër ka si qëllim mbajtjen e të huajve me qëndrim të parregullt në Republikën e Shqipërisë, ose ata që janë bërë subjekt dëbimi ose largimi me forcë, derisa të plotësohen kushtet në dërgimin e tyre në vendin e destinacionit. Institucioni i ndalimit në qendrën e mbyllur është një koncept i ri që parashikohet në këtë projekt. Por për të huajin janë parashikuar dhe masa ndalimi brenda një territori të caktuar, të cilat vendosen nga Policia Kufitare ose Policia e Migracionit. Nëpërmjet këtij ligji parashikohet dhe mbikëqyrja e të huajve, e cila ka të bëjë me të gjitha veprimet që kryejnë organet shtetërore për të ruajtur dhe mbajtur nën kontroll lëvizjet dhe qëndrimin e parregullt të të huajve në Republikën e Shqipërisë. Këtu specifikohen dhe detyrimet e të huajve për të paraqitur të dhënat e kërkuara për t’iu nënshtruar kontrollit të dokumenteve të identifikimit, të qëndrimit dhe të punësimit sa herë që kërkohet nga organet shtetërore. Po kështu, në rastet kur një i huaj kryen shkelje administrative është i detyruar të paguajë gjobë. Në bazë të ligjit, një pjesë e gjobës së vjelë do të kalojë në buxhetin e Drejtorisë së Policisë Kufitare dhe të Migracionit, dhe pjesa tjetër në buxhetin e Policisë së Shtetit. ligjin për të huajt janë parashikuar një sërë të drejtash që u njihen atyre në territorin shqiptar. Kështu, të huajve u njihet e drejta e trajtimit të barabartë me shtetasit shqiptarë lidhur me kushtet e punës, përfshirë dhe dispozitat e largimit nga puna dhe shpërblimet. Të huajve u njihet e drejta e organizimit dhe anëtarësimit në një organizatë sindikaliste apo profesionale që përfaqëson punëtorët ose të vetëpunësuarit. Të huajve u rriten në mënyrë graduale të drejtat në raport me kohën e qëndrimit dhe punësimit të tyre të ligjshëm në Shqipëri. Po kështu, thjeshtëzohen procedurat administrative të ripërtëritjes së lejeve të punës në nivel qendror dhe rajonal. Përcaktohen më qartë kategoritë e cilësuara si “punëtorë stinorë”, “punëtorë ndërkufitarë”, “të transferuarit brenda ndërmarrjes” etj. Në bazë të projektligjit për të huajt, një nga kushtet që duhet të plotësojnë të huajt për të hyrë në Republikën e Shqipërisë është pajisja me dokumente të rregullta të udhëtimit. Kështu, përfshihet viza, pasaporta ose karta e identitetit me të cilën i huaji lejohet të hyjë në zbatim të një marrëveshjeje ndërkombëtare të lidhur nga vendi ynë.
9 Prill 2008