Berisha: “NATO na ka sjellë përgjegjësi të reja”
Kryeministri Berisha deklaroi dje, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se marrja e ftesës për anëtarësimin në NATO ishte jo vetëm moment besimi për Shqipërinë, por edhe përgjegjësie e detyrash të reja. “Në rast se ky ishte momenti i besimit më të madh që është vendosur mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në shekuj me radhë, marrja e ftesës është njëkohësisht edhe përgjegjësia më e lartë për ne. Bashkëpunimi me opozitën ka pasur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në marrjen e ftesës. Kultura e NATO-s kërkon edhe integrimin, kërkon që këto dy projekte të kenë vetëm një debat si të përsosen, por kurrë si të bllokohen. Qeveria dhe opozita, pavarësisht nga numri i votave që ka dhe mund të kenë në të ardhmen, nuk duhet të mendojnë kurrë të ecin të ndara në këto dy projekte të mëdha, që janë mishërim i ëndrrave më sublime të shqiptarëve. Dua të shfrytëzoj rastin për të garantuar opozitën se maxhoranca do të jetë plotësisht e hapur për të punuar bashkërisht në këto projekte. Kemi shumë probleme të tjera, për të cilat kemi këndvështrime të ndryshme dhe secili të mbrojë pikëpamjet dhe idetë e tij, por në këto dy projekte nuk jemi të ndarë”, - u shpreh kryeministri, i cili ia kushtoi hapjen e mbledhjes së parë të Këshillit të Ministrave, pas Samitit të Bukureshtit, ftesës për anëtarësim e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Detyrat e reja, nënvizoi kryeministri, përfshinë të gjitha fushat dhe institucionet e vendit, si mbrojtjen, ekonominë, rendin, diplomacinë, arsimin, kulturën dhe mjedisin dhe për përmbushjen e tyre të gjitha institucionet duhet të vazhdojnë me të gjithë potencialin e tyre.
9 Prill 2008