E Diel, 1 Nëntor 2026

Debatet Opozita braktis seancën pas dorëzimit të kërkesave

Autori i Lajmit: S.Topi
Seanca e djeshme plenare e Kuvendit të Shqipërisë është pritur me interes të madh jo vetëm nga mazhoranca por dhe faktori ndërkombëtar. Loxhat e Kuvendit janë mbushur me përfaqësuesit e trupave diplomatikë në vendin tonë nga ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, ambasadori i KE-së etj. Pak minuta pas orarit zyrtar seanca plenare është hapur nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cila ka përshëndetur deputetët socialistë që vendosën të thyenin bojkotin dhe ka treguar gatishmërinë e saj për bashkëpunim. Më tej është kryer dhe procedura e betimit të 63 deputetëve socialistë, mungonte Arben Isaraj. Pas kësaj procedure fjalën e ka marrë socialisti Gramoz Ruçi dhe menjëherë pas tij kreu i deputetëve demokratë, Astrit Patozi dhe më pas Kryeministri Sali Berisha. Kreu i Qeverisë është shprehur i gatshëm të plotësonte kërkesat e socialistëve për sistemin zgjedhor ndërsa ironizoi me fjalën e Ruçit për mbetjen e topit tashmë në fushën e tij. Berisha tha se ai vazhdonte të ishte një kavalier. Por sipas Ruçit një kavalier por që i ka ngordhur kali. Më tej ai ka kërkuar ndërprerjen e seancës dhe reflektim për kërkesat. Kryeparlamentarja nuk e pranoi sugjerimin e socialistëve dhe vijoi seancën çka çoi në largimin e tyre.
Replikat
Kryeministri Sali Berisha duke ju përgjigjur deputetit socialist Gramoz Ruci i cili nënvizoi se opozita hodhi një hap për zgjidhjen e krizës dhe se tashmë mbetet në dorën e qeverisë, tha “në fëmijërinë time, në fshatin tim nuk kishe top por unë kam pasur kalë dhe deri sot unë kam mbetur kavalier”. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i socialistëve të cilët e kanë konsideruar këtë deklaratë si provokimin e radhës. “I dëgjova si përfaqësuesin e mazhorancës dhe Kryeministrin. Fjalët e tyre ishin një fyerje dhe një provokim për Grupin Parlamentar të PS-së në një kohë që jemi këtu për një reflektim, ju jo vetëm që na fyet po dhe na provokuat. Erdhëm këtu për zgjidhje ju në fjalën tuaj përdorët justifikimet e ndryshme, ne nuk erdhëm për justifikime dhe hodhëm një hap për zgjidhjen e krizës”, - tha ai. Ruçi shtoi se lehtësirat por atë çka i takon. “Për sa i përket topit dhe kalit gjetja sështë e gjetur. Thamë tu japim kohë njëri-tjetrit, ju thatë jeni kavalier, zoti Berisha po kur ka ngordhur kali si i bëhet, ja pse kemi ardhur ne zoti Berisha jo për kavalierin por për kalin, vendi në krizë politike ekonomike e institucionale. Të shërojmë kalin dhe jo kavalierin, ndaj erdhëm këtu që të gjejmë zgjidhjen, në të kundërt opozita është e detyruar të largohet nga salla”, - tha ai. Pas këtyre komenteve ai kërkoi ndërprerjen e seancës por kryeparlamentarja vijoi me rendin e ditës. Pas këtij qëndrimi të Topallit deputetët socialistë së bashku me ata të LMN-së janë larguar nga salla. Kreu i Qeverisë gjatë fjalës së tij në Parlament ka vlerësuar punën e bërë në mandatin e kaluar ndërsa ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e këtij bashkëpunimi. Edhe Patozi pohoi se mazhoranca përshëndeste nismën e opozitës për tu futur në seancë parlamentare dhe uron që ajo të jetë përfundimtare, pa kthim sërish pas. Në fund, ai tha se Shqipëria evropiane është një devizë e mzhorancës, por që duhet të jetë edhe e opozitës dhe ndaj duhet punuar së bashku për ta realizuar sa më parë atë.

Ky lajm është publikuar: 26/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›