E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti tregon dhëmbët

Shurdhësia e Qeverisë ndaj kërkesave të një shtrese të caktuar shoqërore, më ngjet me atë praktikën që përdorin shtetet në raste aktesh ose shantazhesh terroriste, ku nuk pranojnë të hyjnë në bisedime me persona apo organizata terroriste. Me këtë praktikë, shtete e ndryshme kërkojnë të demoralizojnë aktet e tilla.

Kohët e fundit kemi parë shumë protesta në Shqipëri të cilat, zhvillimin e tyre e kanë pasur me shkallë, në fillim me kërkesa nëpërmjet mediave ose komunikimeve zyrtare dhe më pas, me protesta paqësore në rrugë dhe në fund me greva urie. Të gjitha këto janë hapa rivendikuese të garantuara nga Kushtetuta.

Rastet më të njohura janë ato të minatorëve, të opozitës dhe së fundi të invalidëve, ku greva e tyre zgjati gati dhjetë ditë dhe paturpësisht, Qeveria bëri “luftë frontale” me ta sikur të ishin agresorë dhe jo shtetas me të drejta.

Asnjë nga keto raste, nuk e ka kushtëzuar Qeverinë qe të nisë dialog dhe tu gjejë një zgjidhje kërkesave të shtruara.

Mos ndoshta Qeveria jonë po përdor praktikën anti-terror për të dekurajuar kërkesat kushtetuese që kanë shtresat e ndryshme shoqërore?!

Ndërkohe, Qeveria harron se në rastet kur individi dështon në komunikim me shtetin, ai është i legjitimuar të kryejë akte të karakterit të dhunshëm, ose të organizohet ne lëvizje antishoqërore të jashtëligjëshme që synojnë tërheqjen e vëmendjes së shtetit, pse jo dhe lëkundjen e bazave të tij.

Duam të krijojmë një shtet të së drejtës që respekton të drejtat e individit si qenie shoqërore, apo një shtet autokrat dhe apatik mbi problemet thelbësore shoqërore? Lloji i parë është ai i sanksionuar në Kushtetutë, lloji i dytë është ai i legjitimuar në praktikë...
(BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›