E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendet vakante në gjykata, Presidenti Topi shmang partitë

Deri më tani nuk ka mbajtur asnjë takim konsultues

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk do të presë më kthimin e opozitës në Parlament, për të çuar për votim edhe 10 emrat e gjyqtarëve të rinj, të cilët do të plotësojnë vendet e mbetura bosh në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Kreu i shtetit duket se nuk ka preferuar as të zhvillojë konsultime me forcat politike. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur për “Shqip” se ndonëse prej kohësh mandati i dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë kishte mbaruar, Presidenti Topi ka nguruar për të çuar në Parlament emrat zëvendësues, nisur nga fakti se opozita kishte bojkotuar Parlamentin. Pritja e Topit, e cila është përligjur me faktin se do të ishte e udhës që në sallën e Kuvendit këta emra të zgjidheshin me konsensus, nuk do të zgjasë më. Burime nga Presidenca konfirmojnë nisur edhe nga fakti se në prill dhe në maj do të përfundojë mandati i dy anëtarëve të tjerë të Gjykatës së Lartë, brenda muajit prill 10 emrat e gjyqtarëve do të shkojnë në Parlament. Ndërkaq, në Presidencë është mbyllur edhe afati i dorëzimit të dosjeve për kandidatët, të cilët pretendojnë të jenë pjesë e këtyre gjykatave me rëndësi të veçantë. 70 dosjet e depozituara, mes të cilave do të përzgjidhen vetëm 10, po shqyrtohen nga Presidenti i Republikës nisur edhe nga kriteret ligjore që këto kandidatura duhet të plotësojnë për të qenë pjesë e këtyre gjykatave. Ndryshe nga më parë, Presidenti nuk duket se do t’i ftojë kryetarët e grupeve parlamentare të mazhorancës dhe opozitës për të dhënë qëndrimin e tyre në lidhje me këto kandidatura. Sipas ligjit, përzgjedhja e kandidaturave është një e drejtë ligjore dhe ekskluzive e Presidentit dhe për këtë arsye konsultat me përfaqësuesit e partive politike janë opsionale. Por Presidenti Topi e ka treguar edhe më parë se e ka thyer traditën e paraardhësve të tij, si Rexhep Mejdani dhe Alfred Moisu, të cilët në përzgjedhjen përfundimtare të kandidaturave konsultoheshin me partitë politike. Përzgjedhja, duke përfshirë vetëm individë të cilët janë kompetentë profesionalë për këtë çështje, duket se do të ndodhë edhe kësaj radhe nga ana e Presidentit, duke ju lënë partive politike të drejtën të shprehen vetëm në seancë për kandidaturat e propozuara. Aktualisht në Gjykatën Kushtetuese pritet t’ju mbarojë mandati në muajin prill anëtarëve Fehmi Abdiu, Kujtim Puto dhe Sokol Sadushi. Ndërsa anëtarëve Xhezair Zaganjori, Petrit Plloci dhe Admir Thanza pritet që mandati t’ju përfundojë në fillim të muajit maj. Nga ana tjetër, në Gjykatën e Lartë, prej disa muajsh mandati i gjyqtarit i ka përfunduar Spiro Spiros dhe Perikli Zaharasi. Aktualisht kjo gjykatë po e vijon punën me 15 nga 17 anëtarë, dy prej të cilëve po kështu do t’ju përfundojë mandati në muajt prill dhe maj. Duket se mesi i muajit prill do të jetë edhe koha e favorshme për Presidentin Topi t’i dërgojë Parlamentit edhe 10 të përzgjedhurit e tij për mbajtjen e këtyre posteve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›