E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtirej si shef i taskforcës, gjobiste taksistët

ELBASAN/ Policia: Denoncimi i taksistit solli arrestimin e 40-vjeçarit Bashkim Alla që prezantohej me emrin Klodian Elezi


ELBASAN - Ka përfunduar në pranga një 40-vjeçar nga Librazhdi, i akzuar për mashtrim dhe përvetësim të titullit dhe detyrës shtetërore. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se në pranga ka përfunduar Bashkim Alla, i denoncuar nga një taksist, pasi i ishte paraqitur këtij të fundit si shef i Taskforcës Elbasan dhe i kishte vënë një "gjobë" prej 400 eurosh, prej të cilave kishte "vjelur" gjysmat.


Seksioni kundër krimit Ekonomiko-financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan pas një procesi hetimi ka arritur në arrestimin e shtetasit Bashkim Alla, 40 vjeç, me banim në fshatin Zgosht të rrethit të Librazhdit. Sipas policisë, ky shtetas i është prezantuar një shoferi taksie si shefi i njësisë task forcë nën emrin Klodian Elezi, duke i marrë 200 euro dhe duke i kërkuar edhe 200 euro të tjera në dy ditë të ndryshme.


Mësohet se në bazë të dëshmisë së shtetasit A.H., 40 vjeç, me banim në fshatin Katund i Ri që punonte si shofer taksie, më 11 qershor 40-vjeçari nën emrin e shefit të Task Forcës i ka kërkuar atij 200 euro dhe një ditë më vonë i ka kërkuar edhe 200 euro të tjera. Në kërkesën e fundit, taksisti ka dyshuar për një mashtrues dhe menjëherë i është drejtuar policisë duke denoncuar shtetasin Alla.


Në bazë të përshkrimit që ai u ka dhënë efektivave blu është arritur në përfundimin se "gjobëvënësi" nuk ishte shefi real i Task Forcës, por pikërisht 40-vjeçari nga Librazhdi.


Mësohet se emri i drejtuesit të Taksforcës Klodian Elezi është përdorur nga mashtruesi pasi ai ka konfirmuar ekzistencën e një drejtuesi të tillë në degën e Tatimeve në Elbasan. Megjithëse rreth 10 vjet më i madh dhe larg ngjashmërisë me Elezin ai ka vendosur të luajë rolin me idenë se mund të përfitonte para ryshfet duke iu premtuar taksistëve se nuk do t'iu vendoste gjoba, por ka përfunduar në pranga.


Pas arrestimit të 40-vjeçarit nga ana e policisë është bërë kontrolli i banesës së Allës policia ka bllokuar rreth 87 000 lekë të reja në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme për veprën penale "mashtrimi" dhe "përvetësimi i titullit apo i detyres shtetërore".


Ndërkohë, duke konfirmuar arrestimin e Allës, nga ana e policisë u është ërkuar shtetasve të ndryshëm që në rast se janë ndeshur me raste të ngjashme, të denoncojnë veprimin dhe autorët.


Gjithashtu seksioni kundër krimit ekonomik ka kërkuar nga qytetarët të kenë kujdes mbi pseudodrejtues që kërkojnë ryshfet dhe të denoncojnë edhe në rast se ryshfeti kërkohet nga drejtuesit e vërtetë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›