Rreth 1 milionë pelegrinë "pushtojnë" Laçin

FESTA/ Dita e Shna Ndout ka populluar të shtunën e të dielën qytetin e Laçit me besimtarë të të gjitha feve
LAÇ - Qyteti i Laçit gjatë këtyre dy ditëve është mbipopulluar më shumë se çdo herë tjetër për shkak të numrit të lartë të pelegrinëve të mbërritur në të për ditën e Shna Ndout. Pavarësisht përpjekjeve të policisë për të stabilizuar qarkullimin rrugor, për shkak të fluksit të lartë të automjeteve, duhej të qëndroje në radhë për minuta të tëra duke pritur që të lëvizje.
Vargu i gjatë i makinave fillonte nga superstrada Tiranë-Lezhë dhe deri në qendër të qytetit të Laçit, duke arritur në mbi 3 km. Dita e Shna Ndout është përkujtuar në mënyrë madhështore në Kishën e Laçit që mban të njëjtin emër, ku mbi 1 milionë pelegrinë i janë drejtuar këtij vendi të shenjtë.
Nisur nga 16 marsi për 13 të marta me radhë Kisha e Laçit mirëpriti besimtarë nga e gjithë Shqipëria dhe jashtë saj. Të shtunën pasdite ka nisur peligrinazhi masiv drejt këtij tempullit të shenjtë. Besimtarë të shumtë kanë bujtur mbrëmjen e së shtunës në Kishën e Shna Ndout.
Gjatë mbrëmjes së të shtunës dhe gjatë gjithë ditës së diel janë celebruar mesha të shenjta nga meshtarë të ndryshëm, ku janë bashkuar në lutje dhe adhurim besimtarë të shumtë të ardhur nga e gjithë Shqipëria. Pelegrinët u ngjitën në këtë mal duke kryer gjatë gjithë rrugës rite të ndryshme.
Në kuadër të një plani masash të hartuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës, që të shtunën në mëngjes dhe deri në orët e vona të së dielës uniformat blu kanë qenë në gatishmëri të plotë duke orientuar qarkullimin e automjeteve, veçanërisht në rrugët që të shpien drejt kishës.
Janë ngritur postblloqe në hyrje të rrugës për në Kishën e Laçit ku janë lejuar vetëm disa automjete me autorizim për transportin publik dhe gjatë rrugës ka pasur patrullime të herëpashershme. Gjithashtu uniformat blu qëndruan në gatishmëri edhe në afërsi të oborrit të kishës. Në oborrin e kishës ishte hapur një qendër shëndetësore me personelin e nevojshëm mjekësor.
Autoambulanca dhe makina e zjarrfikëses janë të vetmet automjete që janë lejuar në oborrin e kishës duke qëndruar në gatishmëri të plotë gjatë të dy ditëve.
Në lagjet periferike të qytetit të Laçit thuajse në çdo banesë apo oborr pallati si kurrë ndonjëherë shfaqeshin njoftime "Parkime" të shkruara në copa kartonësh apo mjete rrethanore.
Qytetarët laçjanë këtë ditë nuk e kanë shfrytëzuar vetëm për të ushtruar tregti të produkteve të tyre në rrugën e kishës, por edhe për të shndërruar çdo hapësirë të oborreve në "parkim me pagesë".