E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi i ri Rrugor, 4-fishohen gjobat

Ministri Olldashi: Kodet të kthehen në ligje të thjeshta

Vlera e gjobave për drejtuesit e automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor parashikohet që të jenë katër herë më të larta nga sa janë aktualisht. Duke qenë se aksidentet ndodhin për shkak të mosrespektimit të rregullave rrugore, qeveria ka amenduar Kodin Rrugor, duke 4-fishuar gjobat aktuale. Sipas ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, kjo nuk prek shtresat e varfra, pasi makina kanë më së shumti shtresat e pasura dhe të mesme të shoqërisë. Këtë deklaratë ministri Olldashi e bëri dje në Komisionin e Ligjeve, ndërsa po diskutohej Kodi Rrugor dhe rritja e vlerave të gjobave.

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, u shpreh se ndryshimet në teknologji dhe realitet duhen shoqëruar me ndryshime të shpeshta ligjore. Gjithashtu, ministri Olldashi shtroi nevojën e ndryshimit të kodeve, duke i shndërruar ato në ligje, brenda të cilave mund të ndërhyhet më shpesh dhe më lehtë. “Një sërë kodesh t’i kualifikojmë si ligje, kjo do të vlente për Kodin Rrugor, do të vlente për Kodin Ajror dhe Detar. Shumica dërrmuese e aksidenteve vijnë nga shtresat e mesme dhe të mirëqena të shoqërisë që kanë dhe makina luksoze”, - tha ministri Olldashi. Sipas kreut të Transporteve, gjobat e lehta i kanë bërë individët më të papërgjegjshëm, ndaj ai theksoi rëndësinë e krijimit të kulturës së sigurisë rrugore. Propozimi i mazhorancës për ndryshime në Kodin Rrugor, nuk është mirëpritur nga opozita, deputeti i së cilës që është edhe nënkryetari i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, tha se Kodi Rrugor nuk ka nevojë për ndryshime teknike, por ka nevojë për ndryshime substanciale. Diskutimi i draftit do të vazhdojë edhe në një seancë tjetër në komision. Sipas të dhënave nga Policia Rrugore, që nga 1 janari i këtij viti kanë humbur jetën nga aksidentet 269 persona, kryesisht për shkak të alkoolit, shpejtësisë dhe drejtimit të mjetit pa patentë, ndërkohë që Policia ka vendosur rreth 480 mijë gjoba dhe ka arkëtuar më shumë se 380 milionë lekë prej tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›