Shtohen akuzat ndaj Tymoshenko-s

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës tha se, burgimi i ish kryeministres Yulia Tymoshenko është bërë nën dyshimin se ka urdhëruar vrasjen e një ligjvënësi, 16 vite më parë.
Viktor Pshonka ka thënë të premten se kanë gjetur prova të mjaftueshme të cilat tregojnë se së bashku me ish kryeministrin tjetër ukrainas Pavlo Lazarenko, kanë urdhëruar vrasjen e Yevhen Shcherban.
Nëse kjo provë del e vërtetë, atëherë Tymoshenko mund të përballet me burgim të përjetshëm.
Pshonka gjithashtu ka deklaruar se, Tymoshenko dhe Lazarenko kanë paguar 2.8 milion dollar për vrasjen e Shcherban-it.
Në vitin 1996, Shcherban ishte qëlluar për vdekje në një aeroport në jug të Ukrainës.
Ndërsa, Timoshenko dhe Lazarenko mohojnë çdo përfshirje në këtë vrasje. Tymoshenko është duke vuajtur një dënim 7 vjeçar për shkak të abuzimit me pozitën e saj.
Një seancë tjetër gjyqësore ku akuzohet për evazion fiskal dhe përvetësim, është shtyrë deri më 12 shkurt për shkak të gjendjes shëndetësore të saj.
Tymoshenko dhe përkrahësit e saj thonë se gjykimi i saj është politikisht i motivuar./Indeksonline/