E Diel, 1 Nëntor 2026

Jovanoviq: Efektet pozitive të dialogut, të përcjellën me politikë të re

Kryetari i Partisë Liberal Demokratike (LDP), Çedomir Jovanoviq ka deklaruar sot se i mbështetë të gjitha elementet racionale dhe lëvizjet përpara në bisedimet e kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel, por njëkohësisht ka tërhequr vërejtjen se “efektet e arritura pozitive të dialogut lypset t’I përcjellë politika e re (ndaj Kosovës) e cila do të ishte e aftë që përgjithmonë t’i zgjidhë mosmarrëveshjet tona me ata që jetojnë përreth nesh”.

Në një deklaratë me shkrim për opinion, Jovanoviq, konsideron se “ata të cilët e drejtojnë vendin janë të obligueshëm të marrin përgjegjësi dhe përgjithmonë ta braktisin kalkulimin, evitimin e të vërtetës dhe kompromiset e kalbura me të cilat, me vite të tëra, po orvatën ta ruajnë iluzionin e politikës dështuese”, transmeton RTK.

Sipas tij “politikanët të cilët njëzetë vjet kanë qenë robër të lajthitjeve të veta, sot nuk kanë të drejtë as t’i pengojnë negociatat, as që në rezultatet dhe sfidat e tyre të kërkojnë me egoizëm rastin për të poentuar ose për t’i përdorë pretekstet patetike”.

Jovanoviq thotë se çdo përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën ka kuptim vetëm nëse është motivim për reforma të njëmendta në Serbi, ”e jo shkrepës për rritjen me qëllim të tensioneve nacionaliste, të serbizimit apo për kompensime tjera me të cilat pushteti po përpiqet të prezantohet si mbrojtës i ngurtë i interesave kombëtare të paraqitura gabimisht”.

Ai konsideron se është e dobishme zgjidhja që paratë nga doganat të shkojnë në fond të veçantë dhe të orientohen për nevojat e veriut të Kosovës dhe popullatës serbe, por pushteti në Serbi duhet të sqarojë përse nuk e pranon kërkesën e partisë së tij për t’u aplikuar edhe kontrolli rigoroz i shpenzimit të parave që nga buxheti i Serbisë shkojnë në Kosovë “e përfundojnë larg serbëve që janë të rrezikuar”.

Jovanoviq vlerëson se “Serbia përbrenda akoma është peng në keqpërdorimin e miteve dhe të orvatjeve që partia më e madhe në pushtet gjithnjë e më shumë po distancohet nga problemi i Kosovës”./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›