“Krerët” e serbëve në veri nuk i besojnë Daçiqit

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq nuk e gëzon më besimin e serbëve të veriut të Kosovës, për t’i përfaqësuar në bisedimet me Kosovën, theksuan politikanë serbë në veri të vendit.
Reagimet e këtyre të fundit vijnë pas deklaratave të Daçiqit dhe kryeministrit Thaçi, në përfundim të takimit të tyre të katërt në Bruksel.
Politikani serb nga veriu i Mitrovicës, Marko Jakshiq, njëherësh deputet i Partisë Demokratike të Serbisë në Kuvendin e Serbisë, tha për Radion Evropa e Lirë se Daçiqi dhe Thaçi po i bëjnë llogaritë pa i pyetur serbët e veriut.
Sipas tij, Daçiq e ka humbur besimin e serbëve të veriut dhe që nga dita e enjte ai nuk mund t’i përfaqësojë ata dhe të bisedojë në emër të tyre.
“Unë mendoj se këto janë qëndrime personale dhe private të tij. Këto nuk janë qëndrimet e serbëve që jetojnë në veri. Unë them se pavarësisht mendimit të tij, ato qëndrime nuk do të mund të realizohen, duke pasur parasysh që Daçiq është politikani i parë serb, i cili institucionet në veri i ka quajtur paralele. Ajo që është edhe më e rëndësishme dhe që ne e dimë është se kryeministri i Serbisë gjenden nën një presion të tmerrshëm të Perëndimit. Cilat janë arsyet, ne nuk i dimë, kështu që deklaratat e tij për ne nuk janë relevante”, tha ai.
Sipas tij, kryeministri serb nuk ka aq fuqi politike për t’i shpërbë strukturat paralele, ndërkohë që deklaratat e tij ai i quan një tradhti klasike të interesave kombëtare e shtetërore.
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë paralajmëruar për ditën e hënë, më 21 janar, një mbledhje të përbashkët të tyre, për të shqyrtuar se çfarë është biseduar në Bruksel ndërmjet Daçiqit e Thaçit dhe më pas të ndërmarrin hapa të mëtutjeshëm.
Sllavko Stevanoviq, i ashtuquajtur kryetar i Kuvendit paralel të Leposaviqit, thekson se serbët e veriut ende nuk i kanë informacionet e sakta për takimin e fundit në Bruksel.
“Të hënën do ta kemi informacionin e saktë. Do ta mbajmë kuvendin tonë të hënën dhe më pas do të marrim një qëndrim të përbashkët, të katër komunat e veriut të Kosovës. Sigurisht që, nëse është bërë diçka ashtu siç kanë kërkuar serbët e Kosovës, nuk do të ketë rezistencë. Por, nëse është diçka që nuk u përgjigjet serbëve, normalisht që do të ketë rezistencë”, tha ai.
Marko Jakshiq nuk beson se shteti serb do të ndërmarrë masa për shpërbërjen e institucioneve paralele serbe në veri, por nëse një hap të tillë do ta ndërmerrte Prishtina zyrtare, atëherë , sipas tij, serbët e veriut do të përgjigjeshin në mënyrë adekuate, por, siç thekson ai, këtë do të duhej ta bënte edhe shteti serb.
“Çfarëdo përdorimi i dhunës do të duhej të nxiste përgjigjen e shtetit serb, i cili është i obliguar që t’i mbrojë serbët në hapësirën e Kosovës. Ajo që unë mund të them është se serbët mund të jetojnë të pa shqetësuar, sepse këto institucione, të cilat mbijetuan për 13 vjet, do të vazhdojnë të jetojnë edhe më tutje, ndërkaq që mu për këtë shkak Serbia nuk do të mund të hyjë kurrë në BE”, vlerëson Jakshiq./Indeksonline/