E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen në listë 17 medikamente të reja

25/02/2010 Miratohet lista e re e barnave të rimbursimit për vitin 2010

Ndryshimet në favor të fëmijëve, grave e të sëmurëve kronikë

Miratohet lista e re e barnave të rimbursimit për 2010-ën. Në ndryshim nga barnat e shpërndara gjatë vitit të shkuar, lista 2010-ës është pasuruar me 17 medikamente të reja. Konkretisht bëhet fjalë për disa formë-doza barnash që do të shkojnë për trajtimin e sëmundjeve kronike, jo vetëm të moshës së tretë, por edhe te fëmijët. Këto barna do të përdoren për mjekimin e sëmundjeve të tilla, si: anemia në insuficiencën renale kronike, ato të diabetit, në trajtimin e sëmundjeve të mushkërive, si dhe sëmundjes së rëndë të kancerit. Lidhur me ndryshimet e bëra në këtë listë, drejtorja e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, Elvana Hana, ka pohuar gjatë ditës së djeshme se janë shtuar si lloje të reja barnash: “Warfarin 1 mg si hollues i gjakut në të sëmurë kronikë në trajtimin e ishemive të zemrës, cefixime i formës shurup për fëmijë, antibiotik; fenticonazole - antimycotik për gratë, dydrogersterone për çrregullimet e menopauzës te gratë, si dhe insulina glulisine, e cila përdoret për trajtimin e diabetit, veçanërisht te moshat e treta.

Sipas Hanës, me këto barna do të trajtohen kryesisht kategoritë, si: fëmijët, gratë, invalidët dhe pensionistët. Sa i takon barnave të reja, ka një rritje prej 2.4 për qind në raport me totalin e shpenzimeve. Edhe për këtë vit, masa e rimbursimit të barnave do të vijojë të jetë e përshkallëzuar nga 50 deri në 100 për qind të medikamentit, kjo në varësi të kategorisë së përfituesve. Njëkohësisht, kusht në shpërndarjen e këtyre barnave do të jetë edhe receta e mjekut. Në mungesë të saj farmacistët do të refuzojnë dhënien e ilaçeve për pacientin. Kjo listë do të kushtojë rreth 5.5 miliardë lek të reja për një vit, nga të cilat barnat e reja kushtojnë 131 milionë lekë. Shtimi i barnave të reja është ndarë sipas dy grupeve, ku flitet për formë-doza të reja të barnave të listës, të cilat përmirësojnë cilësinë e shërbimit. Në këtë grup përfshihen barna të tilla, si: “Multienzime 25000UI, Methoxypolyethyleneglycol-epoetin beta 30mg, 120mg, 150mcg dhe 200mcg/03ml pre-filled syr, dexamethason sodium phosphate 4mg/ml-1 ml amp, Mycophenolate mofetil 500mg, Budesonide 200mcg,400mcg. Këto barna kanë përdorim më të përshtatshëm për të sëmurët kronikë. Po ashtu janë bërë edhe kombinime të dozave që do të përdoren për një sërë kategorish të tjera. Nga kombinimet e barnave ekzistuese të listës janë përfshirë në këtë listë disa kombinime barnash me përdorim kryesisht në pneumologji dhe gjinekologji, të cilat realizojnë mundësi më të mira të mjekimit për sëmundjet respiratore dhe gjinekologjike. Në këtë grup përfshihen barna të reja që përdoren, barna me veprim antikoagulant, si: Ëarfarine 1 mg, antibiotik me përdorim pediatrik; Cefixime 100mg/5ml-100ml, antiinfektiv dhe antiseptik gjinekologjik si Fenticonazole 600mg, si dhe një insulina glulisine 100UI/3 ml, si një insulinë e re analoge, duke e plotësuar më mirë këtë grup barnash.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›