Shtohen përdoruesit e drogës në Kosovë

Ndonëse nxënësit e shkollave të mesme thonë se kanë deri diku njohuri për efektet negative të substancave narkotike, ata e pranojnë se kanë dëgjuar për rastet që të rinjtë përdorin drogën si pasojë e kureshtjes për të provuar diçka më ndryshe. Psikologia në Gjimnazin “Sami Frashri” në Prishtinë, Fatmire Bellopoja-Pllana, ka thënë se përdorimi i drogës ndikon shumë keq në jetën e secilit dhe rinia në përgjithësi konsumon fillimisht sa për ta provuar dhe më pas përfundojnë të varur nga ajo, transmeton KTV . Sipas saj, bashkëpunimi ndërmjet psikologut të shkollës dhe nxënësve është i kënaqshëm dhe u ndihmon të rinjve që të nxjerrin të keqen nga vetja, duke treguar gatishmërinë për mospërsëritje të veprimit.
Bëhet e ditur se shifrat e përdoruesve të drogës në Kosovë janë mjaft të mëdha. Policia ka thënë se numri i përdoruesve të rinj të drogës arrin në 35 %.
Ata që i frikësohen më së shumti kësaj dukurie janë prindërit.
Në ambulanten specialistike psikiatrike, “Labyrinth”, rreth 50 persona të moshave 21 deri në 35 vjeç shkojnë për trajtim gjatë një dite, 47 prej tyre konsiderohen të varur nga heroina.
Ndërkaq 5 deri në 10 raste janë adoleshentë që vijnë me prindërit e tyre.
Sipas psikologes, arsyet e përdorimit të substancave narkotike, ashtu siç thonë përdoruesit, janë ndikimi i shoqërisë dhe problemet familjare./Indeksonline./