Shtohen rastet me gripin e derrave, Ulqinaku: Është pandemi
TIRANË - Kemi të bëjmë me një pandemi të gripit të derrave në vendin tonë. Kështu thonë specialistë të shëndetit publik, nis nga fakti se rastet shtohen çdo ditë dhe stina e freskët është përpara, çka ndihmon në përhapjen e virusit.
Autoritet shëndetësore nuk përjashtojnë as mundësinë e shtyrjes së vitit shkollor, pasi grumbullimi masiv është shans për virusin. Shefi i Epidemiologjisë në ISHP, Dritan Ulqinaku, pohon se ecuria e shkollave do të jetë në varësi të përhapjes së epidemisë. "Ne do ta ndjekim situatën hap pas hapi nëse do të ketë ndonjë situatë shqetësuese do të marrim veprimet përkatëse ku nuk përjashtohet asnjë nga masat që janë të listuara mënyrën e ndalimit të përhapjes së infeksionit. Ne nuk mund ta përballojmë dot të vetëm këtë situatë. Edhe vetë MASH duhet të ketë programet e veta se si duhet të veproj në situata të tilla. Pra bëhet fjalë për një pandemi", theksoi Ulqinaku.
Sot është shënuar rasti i 30 me gripin e derrave në vend. Një 53 vjeçare nga Durrësi është infektuar me virusin A/H1N1, konfirmohet nga laboratori i Bukureshtit. Ndërkohë shumë të tjerë mund të jenë duke e kaluar gripin në forma më të lehta, theksojnë specialistët e shëndetit publik.