Zjarr në Kodrën e Rrencit, rrezikohet fabrika e oksigjenit
SHKODËR - Sipërfaqe e konsiderueshme pyjore në komunën Gur i Zi në Shkodër janë përfshirë nga zjarri, duke rrezikuar dhe një fabrikë oksigjeni që ndodhet vetëm pak metra larg zjarrit. Flakët janë parë rreth orës 14:10 nga banorët e fshatit Rrenc qe kanë ndërhyrë me mjete rrethanore, ndërsa kanë mbërritur dhe dy mjete zjarrfikëse. Sipas banorëve një shkëndije elektrike në kabllin e tensionit të lartë ka shkaktuar zjarrin.
Të favorizuara dhe nga era, flakët kanë përparuar duke përfshirë disa pemë pyjore e shkurre në drejtim të Shkodrës dhe kanë rrezikuar veçanërisht një fabrikë oksigjeni që ka shumë bombola dhe që ndodhet vetëm rreth 50 m larg flakëve. Punonjësit e ndërmarrjes pyjore, ato të komunës, zjarrfikëset dhe komuniteti, rreth 40 persona janë përpjekur të shuajnë zjarrin por deri tani nuk kanë arritur. Sipas kryetarit të komunës Gur i Zi , Broz Marku, nuk dihet ende sa është sipërfaqja e djegur pasi zjarri vazhdon por ai është fond pyjor në pronësi të komunës. E rëndësishme është se vatra është izoluar.