Shtohen sëmundjet infektive, 60 viruse shpërthejnë në verë
Rritja e temperaturave është pasuar me një shtim të personave të prekur më së shumti nga helmimet ushqimore, që është dhe një nga problemet më të shpeshta shëndetësore gjatë stinës së verës. Por, përkah problemeve që lidhen me helmimet, virozat dhe stomakun, gjatë kësaj periudhe shtohen edhe rastet me sëmundje infektive. Janë së paku 60 lloje të ndryshme virusesh që shpërthejnë dhe aktivizohen gjatë kësaj stine, ndaj bluzat e bardha aplejonë për më shumë kudjes nga ana e qytetarëve. Për këto arsye, drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Saimir Ivzniku, së bashku me shefin e Shërbimit Infektiv, Dhimitër Kraja bëjnë të ditura masat e marra nga ky shërbim për përballimin e fluksit të verës, si dhe si paraqitet situata aktualisht. Gjatë fjalës së tij, drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku ka garantuar se shërbimi gjatë gjithë verës do të jetë në funksion të qytetarëve, duke bërë një grafik për dy grupe mjekësh të gatshme çdo ditë. “Me anë të një urdhëri të nxjerrë pak ditë më parë kam kërkuar që mjekët të bëjnë planifikimet për verën, por dy grupe duhet të jenë të gatshëm për përballimin e rasteve që kanë një rritje gjatë muajve të nxehtë. Po kështu, ne si drejtori kemi marrë masat për furnizimin me ilaçet bazë të urgjencës për trajtimin e rasteve. Ajo që dua të theksoj është se gjithsecili duhet të bëhet doktor i vetes, duke pasur një higjienë sa më maksimale, por edhe duke u treguar i kujdesshëm me ushqimet”, - pohon Ivziku. Ndërsa shefi i Shërbimit Infektiv, Dhimitër Kraja ka bërë një panoramim të situatës së këtyre ditëve, duke theksuar se ka një rritje të numrit të pacientëve, të cilët paraqiten në urgjencë. “Shërbimi i Infektivit ka një sërë detyrash në lidhje me sëmundjet infektive, një pjesë e të cilave lidhen edhe me sëmundjet e stinës, siç është edhe stina e verës. Përveç sëmundjeve që ne trajtojmë zakonisht gjatë gjithë vitit, kjo stinë karakterizohet me një strukturë të re të karakterizuar të sëmundshmërisë. Ky ndryshim vjen me shtime të rasteve nga 35 deri në 45%, kemi rreth 50 apo 60 paraqitje të pacientëve në ditë. Nga këto, 30% e rasteve kanë të bëjnë me probleme të stomakut ose siç e themi ndryshe helmime. Po kështu, rreth 20% e rasteve paraqiten me probleme të aparatit të frymëmarrjes ose bajamet, kolla, trakeitet që shoqërohen me temperatura. 15% e rasteve janë ethe që nuk kanë një shkak të njohur nga mjekët e familjes, pasi i trajtojnë për 5 apo 6 ditë i dërgojnë tek ne për një kurim më të specializuar. Kurse pjesa tjetër i përket sëmundjeve infektive që janë karakteristike për shërbimin tonë. Shkaqet kanë të bëjnë me bakteret që zënë 30% të rasteve dhe mjekohen me atibiotik. Nga ana tjetër, rreth 40% janë sëmundje virusale, pasi janë rreth 60 lloje të ndryshme virusesh që shpërthejnë dhe aktivizohen gjatë kësaj stine. Nga ana jonë si shërbim kemi marrë masa për urgjencën, duke i bërë një rikonstruktim, po kështu në gatishmëri është edhe reanimacioni për rastet e rënda, si dhe përshpejtojmë rastet e pacientëve të shtruar për të pasur vende të lira. Aktualisht kemi edhe një grup emergjence si dhe janë marrë masat në raste të shfaqjes së E.Colit”, - shpjegon shefi i Infektivit, Dhimitër Kraja.