E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen shqiptarët në Zvicër

Përfaqësueses së Zvicrës i janë shtuar edhe dy futbollistë shqiptarë, Admir Mehmedi e Granit Xhaka. Përveç tyre, në listën e selektorit Ottmar Hitzfeld për ndeshjen e 4 qershorit ndaj Anglisë, janë edhe Valon Behrami, Blerim Xhemajli e Xherdan Shaqiri. Trajneri gjerman ka lavdëruar dy inkuadrimet e reja. Nga Express më 28 maj 2011 në ora 11:22

Përfaqësuesja zvicerane ka filluar të bëhet një minikombëtare shqiptare. Ashtu siç pritej, Ottmar Hitzfeld, të premten në ekipin helvetik ka ftuar edhe dy futbollistë shqiptarë; sulmuesin e Zurichut, Admir Mehmedin dhe mesfushorin e Baselit, Granit Xhakën.

Përveç Mehmedit dhe Xhakës, në listën e trajnerit gjerman për ndeshjen e katër qershorit ndaj Anglisë, e cila do të zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012, janë edhe Valon Behrami, Blerim Xhemajli dhe Xherdan Shaqiri.

Ish-trajneri i Byern Munchenit, në konferencën për media gjatë publikimit të listës, ka lavdëruar Mehmedin e Xhakën, për të cilët ka thënë se e meritojnë të jenë pjesë e përfaqësueses së Zvicrës.

“Mehmedi është shumë interesant, ka potencial të madh. Ndërsa Xhaka për moshën e tij është shumë i mirë dhe ishte më shumë se një zëvendësim i denjë për Benjamin Huggelin në Basel’, ka thënë Hitzfeld.

Në anën tjetër, Admir Mehmedi, i cili këtë sezon shkëlqeu me Zurichun në kampionatin zviceran, ndihet shumë i lumtur që ka marrë ftes që t’i bashkohet ekipit helvetik, të cilin e kishte ëndërr që na fëmijëria.

"Është një nder i madh për mua. Unë falënderoj Ottmar Hitzfeldin për besimin e tij. Kjo skuadër është kulmi, pas një sezoni fantastik me FC Zürichun. Edhe si fëmijë kam ëndërruar të luaj një ditë në ekipin kombëtar zviceran. Tani kjo ëndërr mund të bëhet realitet kundër Anglisë”, ka thënë sulmuesi me prejardhje nga Gostivari.

Ndërsa për herë të parë në ekipin A të Zvicrës është ftuar edhe kosovari Granit Xhaka, i cili të mërkurën fitoi titullin e kampionit të Zvicrës me Baselin. Ai është jashtëzakonisht i lumtur që do të jetë pjesë e përfaqësueses zvicerane.

“Jam shumë i lumtur, nuk e kam pritur se do të ftohem”, ka thënë 18-vjeçari, i cili ishte shpallur kampion i botës me ekipin U17 të Zvicrës në vitin 2009.

Xhaka pati një përparim të hatashëm. Ai debutoi me ekipin e Baselit si 17 vjeç. Këtë sezon kosovari e zhvilloi rreth 20 ndeshje me Baselin. Ai i mahniti të gjithë me kualitetin e tij të shfaqur në kampionatin zviceran.

Përveç pesëshes shqiptare, Behrami, Xhemjali, Shaqiri, Mehmedi e Xhaka, pjesë e Kombëtares zvicerane është edhe sulmuesi kosovar i Nurnbergut, Albert Bunjaku. Por ky i fundit nuk është ftuar në skuadër, pasi ende nuk është në formën më të mirë, pas lëndimit që e mbajti jashtë fushës për një kohë të gjatë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›