Shtohen viktimat në Siri, Asad shtrëngon Damaskun
Siria është në prag të një lufte civile. Presidenti Bashar Al Asad nuk pranon të heqë dorë nga pushteti i tij, por i vetmi premtim i bërë ka qenë një referendum për ndryshimet kushtetuese, të cilin rebelët nuk e kanë mbështetur. Në 11 muajt e fundit kanë humbur jetën mbi 8 mijë njerëz. Sipas raportimeve të fundit nga Siria, forcat qeveritare kanë qëlluar në një ceremoni mortore të organizuar për protestuesit e vrarë, duke shkaktuar të tjera viktima. Qeveria e Asad nuk pranon të ketë reaguar me dhunë të tepruar, duke akuzuar Perëndimin se kërkon të dobësojë Sirinë e më pas ta marrë atë në dorë, për pozicionin e lakmueshëm gjeopolitik. Mediat që mbulojnë raportimet nga terreni në Siri, shkruajnë se Presidenti Bashar al Asad po forcon kontrollin e tij në Damask, duke përdorur një ushtri hajdutësh e keqbërësish për të rrahur, rrëmbyer, torturuar dhe kërcënuar banorët që dyshohen se kanë simpati për kauzën e rebelëve. Megjithatë, ndërhyrja e Perëndimit nuk parashikohet. Gjenerali amerikan, Martin Dempsej, shef i forcave të përbashkëta të stafit, tha se armatosja e opozitës në Siri është e parakohshme dhe shumë e vështirë, në krahasimin që iu bë këtij vendi me Libinë.