Greqia, sot takimi vendimtar për huan e shpëtimit, kushte të reja

Protestat në Athinë
Ministri gjerman, thirrje Athinës të pranojë ndihmën gjermane.
Ministrat e eurozonës do të takohen sot në Bruksel, për të vendosur nëse Greqia duhet ta marrë apo jo huan e saj prej 130 miliardë eurosh për të shpëtuar nga falimentimi. Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shaubëll, tha dje se Greqia duhet të pranojë ofertën e Gjermanisë për ndihmë, për shembull të krijojë një sistem më efikas taksash, është shprehur ai për Tagesspiegel am Sonntag, duke shtuar se Athina nuk e ka pranuar ofertën. Deri tani, idetë e Gjermanisë për mbikëqyrjen e financave në Greqi, si për shembull zgjedhja e një komisioneri nga BE-ja për të vëzhguar se çfarë po ndodh me respektimin e marrëveshjes në financat greke, me të drejta pothuajse të palimituara për të kthyer vendimet e qeverisë greke pas, i kanë zemëruar zyrtarët grekë por edhe popullin, që shpeshherë kanë protestuar kundër gjermanëve duke portretizuar kancelaren Merkel dhe ministrin Shaubëll me uniforma naziste. Ndërkohë, AFP shkruan se mes kushteve që do ti vihen Greqisë në këmbim të paketës prej 130 miliardë eurosh, është edhe shtyrja e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, të planifikuara për në muajin prill. Sipas zyrtarëve grekë, kushtet që janë vënë deri tani nga komuniteti ndërkombëtar që do të marrë pjesë në kreditimin e borxhit të dytë të madh për ta shpëtuar Athinën nga falimentimi, janë plotësuar. Ata kanë arritur të gjejnë edhe boshllëkun prej 325 milionë eurosh që mungonin në llogaritë e trojkës, si dhe kanë parashikuar nënshkrimin e marrëveshjes me privatët për 8-11 mars. Nëse Greqia nuk e merr huan e saj, atëherë në muajin mars ajo duhet të shpallë falimentimin, që do të thotë edhe kthimin te monedha e saj e vjetër, dhrahmia.