E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Përfaqësimi, edhe me Deklaratën e Pavarësisë

Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës: Skanë rëndësi formulimet, por axhenda europiane.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Prishtina bie dakord me modelin e propozuar nga serbët për përfaqësimin e saj rajonal, por me kushtin që në fusnotë të përfshihet edhe Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë së vendit. Thaçi tha se  mbështet një model, ku do të merrej parasysh edhe rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, siç kishte insistuar Serbia, por edhe Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë së vendit dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë. Sipas Thaçit,
modeli aktual për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale është i balancuar, meqë merr parasysh dy realitetet ekzistuese: Kosovën e pavarur dhe Serbinë që nuk e njeh shtetësinë e saj. Në bashkëpunimin regjional, në të njëjtën kohë, Kosova do të përfaqësohet me Deklaratën e Pavarësisë, pra do të merret parasysh Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 Shkurtit 2008, e gjithashtu opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që rikonfirmon edhe ndërkombëtarisht pavarësinë e Kosovës, dhe rezoluta 1244 që njeh dhe garanton integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe prezencën e NATO-s në Kosovë, tha Thaçi për REL. Në lidhje me heqjen e termit Republikë nga fusnota, Thaçi shtoi se Për ne nuk kanë qenë me rëndësi formulimet dhe simbolikat. Për ne është me rëndësi axhenda europiane, përshpejtimi i pakos europiane për Republikën e Kosovës. Ndërkohë, kreu i ekipit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, tha se për Beogradin është e papranueshme çdo zgjidhje për përfaqësimin rajonal të Prishtinës, e cila përmend Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Stefanoviç ka konfirmuar për mediat serbe se ekipi i tij do të jetë të martën në Bruksel për vazhdimin e dialogut, por shtoi se për Beogradin është e pranueshme zgjidhja ku përmendet Rezoluta 1244 e OKB-së, mendimi këshillëdhënës i GJND-së, por jo edhe Deklarata për Pavarësinë e Kosovës. Ai tha se Deklarata e Pavarësisë paraqet përpjekje për të legjitimuar pavarësinë e Kosovës.

Njohja e Ugandës
Zyra e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka përgënjeshtruar deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, i cili tha se Uganda nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Zyra e Pacollit deklaroi se ishte Presidenti i Ugandës, Joveri Kaguta Musevini, që i ka konfirmuar zv/kryeministrit njohjen e Kosovës nga ky shtet. Presidenti i Ugandës shkruan se shteti i tij u bashkohet shteteve të tjera që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Bërns
Zëvendëssekretari i Shtetit i SHBA-ve, Uilliam Bërns e ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, kanë nënshkruar të dielën pasdite Marrëveshjen për Statusin e Forcave, në zyrën e Kryeministrit Thaçi në Prishtinë. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje mbështet bashkëpunimin dhe partneritetin aktual për të përparuar sigurinë e popullit të Kosovës dhe për të kontribuar në stabilitetin e paqen në Ballkan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›