Rriten shanset për luftë në Iran, pezullohet nafta për Britaninë e Francën
Çështja nëse do të nisë apo jo një luftë me Iran me acarimin e marrëdhënieve të tij me Izraelin dhe Perëndimin, po mundon shumë analistë në mbarë botën, pjesa më madhe e të cilëve beson se nuk mund të përjashtohet konfrontimi ushtarak. Megjithëse u mirëprit vendimi i Presidentit iranian, Mahmud Ahmadinexhad, për të rinisur bisedimet për programin e tij bërthamor, në Agjencinë Ndërkombëtare Atomike besohet se Irani është afër prodhimit të një arme bërthamore. Armiqësia e përhershme me Izraelin dhe deklarata e mëparshme e Presidentit iranian, se ky vend duhet të zhduket nga harta, kanë rritur armiqësinë dhe vigjilencën e izraelitëve. Zyrtarët në këtë vend janë të ndarë se si duhet reaguar në lidhje me një sulm të mundshëm ndaj impianteve atomike në Iran. Disa prej tyre kanë deklaruar se është i mundshëm një sulm në pranverë. SHBA ka deklaruar aleancë të fortë me Izraelin dhe, nëse ndodh një sulm i tillë, do të rreshtohen përkrah izraelitëve. Situata është acaruar edhe me forcimin e sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit, i cili ka paralajmëruar me mbylljen e ngushticës së Hormuzit, që është me rëndësi jetike për transportimin e karburanteve në Perëndim. SHBA ka dërguar një luftanije të madhe në këtë ngushticë, edhe pse Irani nuk e ka mbyllur ende atë. Por lëvizja e radhës ishte vendosja e luftanijeve iraniane në Mesdhe, për të cilat Izraeli ka deklaruar se do ti monitorojë. Për më tepër, dje Irani pezulloi shitjen e naftës te kompanitë franceze dhe britanike. Ndërsa ministri i Jashtëm britanik, Uilliam Hague, paralajmëroi Izraelin se aksi ushtarak kundër Iranit nuk do të ishte një gjë e zgjuar, dhe shprehu besimin se shansi i vërtetë për të bindur Iranin të braktisë ambicien e tij nukleare, janë negociatat dhe sanksionet.