Malaj: Abuzimi, nxënësit do të denoncojnë mësuesit
Të gjithë nxënësit do të kenë mundësi që të denoncojnë mësuesit në raste abuzimesh përmes një numri telefoni. Një fakt i tillë është bërë i ditur nga zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, e cila ka shpjeguar detaje të reformave në arsim përmes një interviste dhënë për gazetën “Albania”. Zonja Malaj ka sqaruar edhe efektet që jep ligji i ri “Për Arsimin e Lartë” në universitete dhe hapat që po ndiqen në përfundimin e procesit të Maturës Shtetërore, e cila do të përfundojë me shpalljen e fituesve nëpër fakultete, sipas pikëve që kanë marrë. Zëvendësministrja Malaj ka treguar edhe detaje të draftit ligjor për sistemin parauniversitar. Ajo tregon për stimujt që do t’u jepen studentëve që do të regjistrohen në degët profesionale, ku përfshihet edhe trajtimi i tyre me bursë.
Si funksioni këtë vit Matura Shtetërore?
Matura Shtetërore është një mekanizëm që në thelb ka të bëjë me një proces që përfundon me marrjen e diplomës së shkollës së mesme. Është viti i pestë i funksionimit të Maturës dhe tashmë objektiv nuk është konsolidimi, por mbarëvajtja e saj. Matura lindi si një transparencë e plotë, si luftë kundër korrupsionit dhe qëllimi ishte të realizonte sa më mirë të ishte e mundur procesin e saj. Duke qenë se ajo ndahet në dy cikle; e para lidhet me provimet e shtetit, që janë Matematika dhe Letërsia dhe e dyta me provimet alternative, si faza e parë dhe e dytë u realizuan në masë të rreptë sigurie. Për këtë u punua shumë, sidomos me pjesën e administratorëve dhe pjesën e atyre që do të administronin procesin e Maturës Shtetërore. Ajo që është e rëndësishme dhe duhet theksuar është se procedura këtë vit u realizua me standard, edhe pse gjatë rrugës u vërejtën edhe tendenca që lidheshin me një lloj keqpërdorimi, siç ishin rastet e fundit, të cilat çuan në penalitet rreth 300 maturantë dhe një pjesë të administratorëve.
Cilat janë masat e marra për administratorët dhe maturantët?
Masat që po merren ndaj administratorëve do të bazohen në dy pika. Së pari po shihet me vëmendje se deri ku ka shkuar thyerja e rregullores së Maturës Shtetërore dhe, së dyti, masa deri në heqje nga puna dhe ngritja e precedentit penal. Për maturantët u morën vetëm masa me ulje të pikëve të totalit. Rregullorja parashikon se jo vetëm ai që vjedh, por edhe ai që ndihmon ndëshkohet, dhe kjo ka një impakt. Secili maturant duhet të marrë vlerësimin sipas meritës dhe sipas asaj që ai jep. Marrja e masave po realizohet për herë të parë pasi Ministria e Arsimit dhe Shkencës është shumë e ndjeshme ndaj vlerësimit meritë-preferencë, për të treguar se procesi i provimit është shumë i shenjtë dhe është brenda detyrave që rrjedhin prej këtij procesi. Këtë vit përfunduan maturën rreth 37 mijë nxënës, nga të cilët, rreth 23 mijë janë kandidatë për studentë. Tendencë pozitive këtë vit është arsimi profesional, dhënia e stimulit pozitiv për ata që kandidojnë në degët profesionale. Stimuli ka të bëjë me dhënien e bursës, transportit apo trajtimeve të veçanta pasi po punohet për thithjen e këtij kontingjenti në arsimin e lartë. Po krijohen mundësi për rritje cilësie dhe njëkohësisht edhe për rritjen e standardeve të jetës. Të stimuluara janë profesionet si axhustator, motorist, hidraulik, hoteleri-turizëm, veterinari dhe lëndët ekonomike.
Kur do të publikohet Libri i Transparencës për maturën e këtij viti?
Matura Shtetërore shoqërohet me Librin e Transparencës, në të cilin pasqyrohen të dhënat për çdo individ, rezultatet, koha kur i ka realizuar si dhe vlerësimi i tij. Këtë vit do të jenë rreth 37 mijë maturantë që do të gjejnë të dhënat e tyre në Librin e Transparencës. Publikimi i të dhënave, duke filluar nga emri i individit, nuk cenon privatësinë e maturantëve, por lehtëson situatën në rastet kur individi nuk është dakord me vlerësimin dhe do të apelojë apo ta çojë atë në proces gjyqësor në rastet kur e drejta i është nëpërkëmbur. Libri është përmbyllje e të gjithë procesit të Maturës Shtetërore dhe botohet në shtator. Ky libër shërben edhe si bazë studimi për preferencat e degëve nga individët dhe se sa shkollat janë të gatshme për këtë meritë-preferencë. Librin e prodhon APRIAL-i dhe u jepet institucioneve të varësisë dhe individëve që janë të interesuar për të parë të dhënat e tyre, por pa e shkelur privatësinë, duke ruajtur identitetin e individëve.
Cilat janë masat që po merren për fillimin e vitit të ri shkollor?
Viti shkollor në arsimin parauniversitar do të nisë një javë më shpejt këtë vit. Shkolla fillon më datë 6 shtator. Nisja më herët është bërë në interes të nxënësve dhe mësuesve. Ndarja e vitit shkollor në tri periudha, apo në tri semestre, e bën më të thjeshtë integrimin e fëmijëve në shkollë dhe njëkohësisht u krijon pauza pushimi në periudhën e dimrit dhe në pushimet e verës. Për të gjithë arsimin parauniversitar do të vendosen standardet, në sistemin arsimor bazë do të përdoret sistemi i Altertekstit edhe këtë vit. Për herë të parë tekstet shkencore do të merren nga autorë të huaj dhe do të bëhet vetëm përkthimi i tyre.
Po kështu, për herë të parë futet sivjet, në kuadër të luftës kundër abuzimit të fëmijëve, “ALO 116”, ku fëmijët mund të denoncojnë rastet e ndryshme të dhunës në shkollë apo në familje. Kjo masë është marrë në kuadër të mbrojtjes së fëmijëve dhe Konventës së të Drejtave të Fëmijëve. Po kështu, u jepet prioritet fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe pakicave etnike që të integrohen sipas aftësive. Në arsimin parauniversitar do të bëhen disa reforma.
Cilat janë reformat që do të bëhen në arsimin parauniversitar?
Po rishikohet ligji për arsimin parauniversitar. Projekt-drafti është bërë gati dhe do të diskutohet nga grupet e interesit. Së pari, do të ketë ndryshime lidhur me emërtesat për formatet e sistemin 9-vjeçar plus 3 sistemi i gjimnazit. Drafti thellon rolin e nxënësit, po kështu fuqizohet roli i mësuesit. Ai përcakton përmirësimin e teksteve mësimore dhe i jep prioritet kurrikulës mësimore. Në draft do të shihen se cilat janë pozicionet në të cilat do të shtrihet arsimi parauniversitar, si dhe përcakton qartë objektivat e arsimit parashkollor. Prioritet në arsimin parauniversitar i jepet gjuhës shqipe. Edhe studimit të gjuhëve të huaja u jepet një rëndësi e veçantë. Fëmijëve të huaj që jetojnë në Shqipëri u jepet mundësia të studiojnë në shkollat tona në gjuhën shqipe. Po kështu, drafti përcakton mënyrën e organizimit dhe rolin e pushtetit vendor.
Cilat janë ndryshimet që sjell ligji i arsimit të lartë?
Ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë erdhën si rezultat i ndryshimeve të kushteve aktuale. Ligji sjell këto ndryshime: së pari, ai do të standardizojë nivelin e diplomave dhe, së dyti, do të rritë shkallën e autonomisë së universiteteve duke u dhënë atyre më shumë pavarësi. Ligji do të sjellë rritje të cilësisë në drejtim të kërkimeve shkencore. Gjithashtu do të orientojë drejt tregun e punës duke nxjerrë produkt sa më cilësor e sa më profesional. Ai do të realizojë mobilitetin e studentëve dhe profesoratit brenda dhe jashtë universitetit. Ligji do të realizojë zhvillimin e strategjisë së arsimit të lartë si prioritet i reformave të qeverisë. Rregullorja jep më së miri bazën reale të paketës ligjore për zbatimin e reformave në ligjin e arsimit të lartë. Ndryshimi në ligj i jep fuqi bërthamës së universiteteve, siç janë në rastin konkret departamentet. Në qendër të këtij ligji janë studentët, të cilët përfitojnë prej tij. Krijimi i mundësisë së njohjes së një gjuhe të huaj, certifikimi me dëshmi ndërkombëtare është një risi tjetër që u vjen në ndihmë të studentëve. Kjo jo vetëm që realizon rritjen e cilësisë dhe standardeve por krijon mundësinë e punësimit të tyre jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Këto ndryshime kanë si qëllim përgatitjen e universiteteve për një reformë tjetër të madhe, reformën financiare, e cila do të ndërhyjë në cilësinë mësimore, si dhe në rolin e performancës së autorit. Ngritja e bazës laboratorike, projekt i UNILABE dhe përftimi i projektit të tenderit për rrjetin telepatik, aplikimi i të cilit do të bëhet në tetor, është një arritje tjetër që bëhet në fushën e arsimit të lartë. Nga ana tjetër, të gjitha ndryshimet në ligj janë bërë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në transparencë të plotë me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit.
11 Gusht 2010