E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shtohet masa e përfitimit të paaftësisë"

Invalidët para dhe tetraplegjikë, si dhe kujdestarët e tyre, pas daljes së vendimeve të Këshillit të Ministrave, do të përfitojnë më shumë asistencë financiare dhe sigurime shoqërore.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Social, Mihal Naço, bën të ditur se për invalidët para e tetraplegjikë, masa prej 12000 lekë në muaj zëvendësohet me masën prej 16000 lekësh. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit për vitin 2009. Naço sqaron edhe faktin që, sipas VKM nr. 326, do të përfitojnë kontribute shoqërore edhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara. Konkretisht, periudha e shërbimit si kujdestar, për personat pranë para e tetraplegjikëve, të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk përfitojnë të ardhura nga sigurimet shoqërore, do të vlerësohet si periudhë sigurimi. Në këtë mënyrë, kujdestarët do të përfitojnë të ardhura nga skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, si pension, leje lindjeje, sigurim shëndetësor për dëmtim në aksidente në punë dhe sëmundje profesionale. Shërbimi Social Shtetëror, pohon drejtori Mihal Naço, mbështetur në informacionin e dërguar nga njësitë vendore, ka filluar punën për të hartuar listat e kujdestarëve përfitues, në bazë të të cilave do të përllogariten fondet që nevojiten për pagesën e kontributeve për këtë kategori shoqërore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›