Shtohet numri i degëve, bursa për studentët që zgjedhin degët prioritare

Manuela ka përfunduar shkollën e mesme me rezultate mbi mesataren dhe ka aplikuar për të vijuar studimet e larta në një nga programet prioritare të përcaktuara nga Ministria e Arsimit. Ajo rrëfen se dëshira për të studiuar biologji i është kultivuar herët, por në shtysë e madhe ka qenë edhe pasioni i saj për natyrën.
“E kam zgjedhur bilogjinë sepse është një nga lëndët që e kam patur pasion që e vogël. Më pëlqen sepse studion gjallesat, natyrën, botën e gjallë”, tregon ajo.
Zgjedhja e maturanteve për të vijuar studimet në një nga degët prioritare i përjashton ata nga tarifat e studimit, por gjithashtu i jep mundësinë të përfitojnë çdo muaj edhe një pagë minimale.
“Bursa është një shtysë shumë e mirë që Ministria e Arsimit na ka dhënë, duke na mbështetur financiarisht”, thotë Manuela.
1 dite e ndan nga shpallja e listës së fituesve në universitete dhe e reja nuk i fsheh emocionet.
“Është një periudhë e gjatë që kemi pritur për këtë ditë që të na dali dega nga preferencat që kemi hedhur dhe shpresoj të kemi marrë degën që duam”, shprehet e reja.
Qeveria vendosi këtë vit të heqë kriterin e mesatares, me qëllim që të nxisë maturantët që të zgjedhin të studiojnë për degët prioritare, ku do të përfitojnë bursë, por me kushtin që pas përfundimit të studimit do punojnë për 3 vite në Shqipëri.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh/