Urgjencat në Fier/ 200 raste në ditë, shtohen virozat dhe helmimet nga ushqimi e alkooli

Sezoni veror mbart me vete edhe komplikacionet e veta që lidhen me shëndetin.
Në Fier, numri i urgjencave është dyfishuar duke arritur në 200 në ditë, ku veç virozave të stinës shënohen shumë raste helmimi nga ushqimet dhe alkooli.
“Pjesën më të madhe e zënë rastet me gastroenterit ose enterovirozave. Kemi raste të pickimeve nga insekte të ndryshme apo edhe raste kardiake si pasojë e vapës gjatë këtyre muajve,” shprehet shefi i Urgjencës në Spitalin e Fierit.
Mjeku toksikolog sqaron se rastet e shtuara të helmimit nga pijet alkoolike sjellin problematika edhe për vetë mjekët.
“Në vend që personeli shëndetësor të merret më të sëmurët më rëndë, shpesh detyrohen të merren me intoksikimet alkoolike, të cilat favorizohen shumë prej vapës. Gjendja të tilla intoksikimi mund të jenë edhe të rrezikshme për jetën,” shprehet mjeku toksikolog në Spitalin e Fierit.
Sezoni i verës është problematik sa i takon helmimeve nga konsumimi i alkoolit edhe për shkak të frekuentimit më të madh të festave, jetës së natës apo dasmave të shumta gjatë sezonit.
Gazetare: Megi Mëhilli
/rtsh.al/