E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohet numri i pacientëve në QKUK

Nga Express më 21 shtator 2011 në ora 16:39

Rënia e menjëhershme e temperaturave ka sjellë edhe rritje të numrit të personave të prekur nga sëmundjet kronike, dhe fëmijët. Sipas mjekëve, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të imunitetit të dobët të personave të prekur nga rënia e temperaturave. Por, përveç fëmijëve, një tjetër kategori që shfaq shqetësime janë edhe moshat e treta që sipas mjekëve i manifestojnë me probleme kardiake.

Naser Syla, specialist i emergjencës në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë për Kosovapress se ky ndryshim drastik i motit ka bërë që në këtë qendër të shtohet edhe numri i të sëmurëve kronikë.

Sipas tij, më së shumti këtë ndryshim e ndiejnë personat e moshuar që vuajnë nga sëmundjet kronike, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, pulmonare, neuromuskulare, reumatizmale.

“Normalisht që ndikon në organizimin e njeriut e veçanërisht te personat, të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike, personat e moshuar dhe fëmijët. Mirëpo, më së shumti këtë ndryshim e ndiejnë personat e moshuar që vuajnë nga sëmundjet kronike, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, pulmonare, neuromuskulare, reumatizmale. Kështu që është e vërtetë se është ngrit pak numri i pacientëve në Qendrën Emergjente”, ka thënë Syla.

Ai, po ashtu, ka theksuar se një kujdes të veçantë gjatë kësaj kohe duhet të tregojnë nënat për fëmijët e vegjël, pasi këto temperatura të ulëta dhe viruset gripale, mund të çojnë deri në ftohje të rënda.

Megjithëse këtë raste për mjekët aktualisht kanë një rritje të vogël të numrit të personave të prekur nga sëmundjet virale, ftohjet apo problemet kardiake, përsëri mjekët rekomandojnë përdorimin e terapisë në kohën e duhur.

“Ajo çka është preferuar te temperaturat e larta, tash është e kundërta, d.m.th ata njerëz mund të dalin, të lëvizin, por primare është që të merret terapia me rregull, e përshkruar nga mjeku specialist adekuat”, ka thënë Syla.

Në anën tjetër, Qendra Emergjente është e mbingarkuar nga pacientë të shumtë dhe nuk ka hapësirë të mjaftueshme, mirëpo Syla tha se përkundër këtyre kushteve kjo qendër funksionon normalisht, ndërkohë që nuk ka numër të saktë për numrin e personave që kërkojnë ndihmë në këtë qendër.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›