Mallrat serbe me faturë “Kosovo Metohija” kthehen prapa

Dogana e Kosovës po i kthen maunat nga Serbia, pasi që në faturë shkruan “Kosova dhe Metohija” dhe sipas zyrtarëve të doganave kjo nuk është në përputhje me marrëveshjen CEFTA, ndërsa ato maune, të cilat kanë dokumentet në rregull vazhdojnë të hyjnë në Kosovë.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë përmes telefonit për Kosovapress se këtyre kamionëve po iu kërkohet që të kenë dokumentet në rregull, përndryshe do të kthehen mbrapshtë.
“Po kërkojmë që me i sjell dokumentet në përputhje me marrëveshjen CEFTA dhe nëse shkruajnë “Kosovo Metohija”, ne i dërgojmë në terminal, por nuk i zhdoganojmë derisa faktikisht t’i bien dokumentet ose faturën komerciale”, ka thënë Stavileci.
Ndryshe edhe sot ka vazhduar importi i mallrave nga Serbia me një fluks edhe më të madh. Vetëm sot kanë hyrë afërsisht 150 maune nga Serbia në Kosovë, ndërsa numri i përgjithshëm që nga heqja e masave të reciprocitetit ka arritur në 400.
Nga ana tjetër ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka thënë dje se shumë shpejt do të vihen prapë masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, sepse siç ka thënë ajo marrëveshja duhet të respektohet nga të dyja palët dhe jo vetëm nga njëra palë.