E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohet numri i personave që do të përfitojnë pagesën

04/12/2009  Dita ndërkombëtare e Paaftësisë

Shtohet numri i personave me aftësi të kufizuara që do të përfitojnë mbështetje sociale nëpërmjet fondeve financiare të akorduara nga buxheti i shtetit. Konkretisht 128 876 persona me aftësi të kufizuara, prej të cilëve 3 733 janë edhe përfitues të paketës higjienosanitare. Ndërkaq çdo përfitues i statusit të invalidit para- dhe tetraplegjik përfiton një pagesë mujore prej 87 mijë lekë personi i sëmurë, 92 mijë kujdestari dhe 160 mijë lekë ata që përfitojnë paketën higjienike. Dje në Ditën Ndërkombëtare të Paaftësisë qeveria shqiptare miratoi vendimin për nënshkrimin e konventës “Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara” me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila i hap rrugë ratifikimit të saj, si dhe hartimit e zbatimit të një plani veprimi ndërinstitucional, që do të shërbejë për të përmbushur detyrimet e konventës. Kjo konventë përfaqëson dokumentin e parë në të cilin aftësia e kufizuar njihet si çështje e të drejtave të njeriut dhe synon që përfitimi i të drejtave ekzistuese të zgjerohet dhe të garantohet, duke detyruar vendet anëtare të krijojnë një shoqëri ku personat me aftësi të kufizuara të integrohen lehtësisht. Përkrah ndryshimeve dhe premtimeve të bëra nga institucionet shtetërore, përfaqësuesit e shoqatave të këtyre shtresave kanë kërkuar ndërhyrjen e dikastereve në përmirësimin e infrastrukturës lëvizëse dhe integrimit social. Përkundrejt këtij shqetësimi kreu i Ministrisë së Punës ka kërkuar nga njësitë e qeverisjes vendore korrektësi në zbatimin ligjit të urbanistikës nga KRRT-të përkatëse në dhënien e lejeve të ndërtimit, ku parashikimi i plotësimit të normave e kushteve specifike për lehtësimin e përdorimit nga peronat me aftësi të kufizuara të jetë i panegociueshëm. Ndërkohë në zbatim të legjislacionit të punës është kërkuar nga biznesi për punësimin e të paktën një personi me aftësi të kufizuara në çdo 25 punëmarrës, objektiv që deri tani nuk ka gjetur asnjë zbatim. Ndërkohë është parashikuar që për 2010-n qeveria të miratojë një ligj integral, me synim krijimin e një sistemi të ri, që rrit mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara në bazë të rëndesës së sëmundjes, duke garantuar parandalimin, rehabilitimin dhe integrimin e tyre në jetën shoqërore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›