Abuzimet me trojet në Tiranë, pushohet nga puna kryeregjistruesja
Laureta Rryçi
Ministri i Drejtësisë shkarkoi dje nga detyra kryeregjistruesen e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të
Tiranës dhe dhjetë specialistë në varësinë e saj. Lajmi u konfirmua dje nga burime zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Sipas këtyre burimeve ministri Bujar Nishani nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka firmosur propozimin e kryeregjistruesit Arben Qirjakos për largimin nga puna të 11 personave. Kryeregjistruesi ka bërë kërkesë për shkarkimin e vartësve të tij pasi është njohur me raportin që kanë përpiluar specialistët me shkeljet që kanë gjetur në Hipotekën e Tiranës. Edhe pse raporti ende nuk është bërë publik, burime pranë zyrës qendrore pohuan se shkeljet
kanë dëmtuar interesat e shumë qytetarëve në kurriz të të cilëve është bërë dhe abuzimi me trojet në kryeqytet.
Shkarkimi
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, mësohet se nuk ka nguruar të firmosë shkarkimin e Regjistrueses së Tiranës, Dorina Stringës dhe 10 specialistëve të cilët prej kohësh ishin në varësinë e saj. “Shkarkimi u bë me propozim nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pas një kontrolli 2-mujor të ushtruar në ZVRPP-në e Tiranës nga ana e Sektorit të Kontrollit Tekniko Ligjor të ZQRPP-së”, thuhet në njoftimin zyrtar të Zyrës Qendrore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Më tej njoftimi shpjegon se Kryeregjistruesi i Republikës së Shqipërisë, Arben Qirjako urdhëroi gjithashtu edhe shkarkimin nga detyra të 10 punonjësve të tjerë të ZVRPP-së Tiranë për shkelje në ushtrimin e detyrës.
Kontrolli
Sektori i Kontrollit Tekniko Ligjor, me urdhër të Kryeregjistruesit mësohet se ka ushtruar një kontroll 2 mujor pranë ZVRPP, Tiranë. Objekt i këtij kontrolli ka qenë respektimi i procedurave administrative dhe shërbimit ndaj qytetarit nga ana e punonjësve të kësaj Zyre. “Në fund, kontrolli konstatoi shkelje të shumta të procedurave administrative dhe vonesa të mëdha në shërbimin ndaj qytetarëve nga ana e Regjistrueses, Dorina Stringa dhe nga 10 punonjësit e tjerë”, thuhet në njoftim duke u pranuar zyrtarisht se ankesat e qytetarëve të prej disa muajve paskan qenë të vërteta. Bazuar mbi raportin e Kontrollit Tekniko Ligjor, Kryeregjistruesi i Republikës, Arben Qirjako, i propozoi Ministrit të Drejtësisë shkarkimin nga detyra të Regjistrueses së Tiranës, Dorina Stringa. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani referuar nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 4 të ligjit 7843 për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme, vendosi shkarkimi e Regjistrueses, Dorina Stringa.
Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të vazhdojë kontrolle edhe në Zyrat e tjera Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në fokus të këtyre kontrolleve do të jetë respektimi i procedurave administrative dhe shërbimi ndaj qytetarëve.
Shkeljet e konstatuara gjatë kontrollit
Shkelje të shumta të procedurave administrative
Vonesa të mëdha në shërbimin ndaj qytetarëve nga ana e Regjistrueses, Dorina Stringa dhe nga 10 punonjësit e tjerë
Gjykata liron ish-kreun e hipotekës së Vlorës
Gjykata e Vlorës mori dje vendimin për lirimin e kreut të Hipotekës, Edmond Banushi, i arrestuar të premten e kaluar, së bashku me një ish punonjës të zyrës së regjistrimit të pasurive dhe një biznesmen, nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës. Gjykata arriti në konkluzionin se arrestimet ishin të paligjshme, për shkak se çështja për të cilën gjykohen nuk përbën një krim të rëndë. Pasi ka dëgjuar të dyja palët, gjyqtari i gatshëm ka arritur në përfundimin se me të njëjtën masë sigurie “detyrim paraqitjeje” duhet të merrnin të gjithë të arrestuarit, ish-drejtori i Zyrës Vendore për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme të Vlorës, Edmond Banushi, ish punonjësi Viktor Kulaj dhe biznesmeni Oart Begaj. Burime nga prokuroria shpjeguan se hetimet për drejtorin e Hipotekës kishin filluar kryesisht, por kanë marrë shkas pas denoncimit të bërë nga një qytetar për një pallat dhe distancat që nuk janë respektuar. Një ditë pas vënies në pranga të kreut të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Edmond Banushaj, nga ana e organit të akuzës pohohet se dëshmitë e banorëve të ndryshëm të qytetit bregdetar kanë qenë një ndihmë për vijimin e hetimeve. Mirëpo për të gjitha këto hetime personat që u arrestuan do të ndiqen në gjendje të lirë. Pas masës së sigurisë, atyre u lind detyrimi që të paraqiten në komisariatin e qytetit një herë në dhjetë ditë dhe nuk mund të lënë shtetin pa një autorizim të prokurorit të çështjes.
6 Tetor 2009