E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet mashtrimi me rritjen e pagave

Pagat në shtet nuk janë rritur me 22 për qind, sikundër pretendon Këshilli i Ministrave, por me 12 për qind. Shifra e re ka dalë nga Banka e Shqipërisë, e cila nga përllogaritjet e bëra, nxjerr pak "zbuluar" qeverinë, kur kjo në korrik 2008 deklaronte për rrije deri me 25 për qind. Sipas vrojtimit të bërë nga Banka e Qendrore, e cila i referohet situatës aktuale të pagave në administratës shtetërore, rritja e tyre në krahasim me fundin e vitit 2007 (tremujori) është vetëm 0.4 për qind. Ndërsa, në krahasim me korrikun 2007 dhe atij 2008, rritja e pagave nuk shkon më shumë se 12 për qind, në një kohë kur Kryeministri Berisha pretendon një shifër që shkon mesatarisht në 23 për qind. BSH nxjerr në dritë një tjetër të vërtetë, e cila lidhet me pagën mesatare në shtet. Kështu, qeveria pretendon se paga mesatare mujore e një punonjësi në administratën shtetërore është 43 mijë lekë, ndërsa BSH thotë rreth 35 mijë lekë. Nga statistikat e bëra publike rezulton se shpenzimet për pagat zënë vetëm 6.2 për qind të shpenzimeve të përgjithshme.

Përplasja

"Pagat në shtet do të kenë një rritje që shkon deri në 25 për qind, duke e çuar mesataren e rritjes së tyre, në krahasim me 2007-ën, në 22 për qind. Në këtë mënyrë, paga mesatare për të gjithë punonjësit buxhetorë në vend është rritur nga 27336 lekë në vitin 2005 në 42439 lekë në muaj në vitin 2008", deklaroi Kryeministri Berisha, në mbledhjen e qeverisë, mbajtur më 2 korrik 2008. Lidhur me këto shifra, Banka e Shqipërisë, në raportin e publikuar këtë javë, rreth "Politikës Monetare", shpreh një tjetër vlerësim. "Niveli i pagave ka shënuar rritje si në sektorin shtetëror, edhe në atë privat. Paga mesatare në sektorin shtetëror arriti në 35.800 lekë ose 0.4 për qind më e lartë, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2007 dhe 12.4 për qind më e lartë në bazë vjetore", thuhet në raportin e BSH-së.

Sektorët

Sektori i ndërtimit ka regjistruar rritjen më të lartë për treguesit e punësimit dhe të pagave gjatë vitit 2008, gjë që është vërejtur më tepër në fushën e punimeve inxhinierike. Sektori i industrisë ka vazhduar të ruajë pothuajse të njëjtin ritëm rritjeje edhe gjatë këtij viti. Masat administrative të marra në lidhje me deklarimin e numrit të punonjësve kombinuar me një ecuri të mirë të shifrës së afarizmit, kanë sjellë për këtë periudhë të parë të vitit një rritje në ndryshimin vjetor të pagave, si në aktivitetin tregtar, ashtu edhe në sektorin e shërbimeve postare dhe të telekomunikacionit. Sipas BSH-së, në muajt e parë të vitit është regjistruar një rritje në nivelin e pagës bazë minimale mujore me rreth 14 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndryshim që e solli pagën minimale në nivelin 16.000 lekë. Pagesa e papunësisë u rrit në përpjesëtim me pagën minimale dhe arriti nivelin 5.980 lekë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›