Dogana, realizimi i të ardhurave, 900 milionë USD
Doganat vijojnë me realizimin e planit, që për 9-mujorin 2008, rezultuan në masën e rreth 900 milionë dollarëve, ose 15 për qind më shumë se viti i kaluar. Për sa i takon muajit shtator, niveli i arkëtimeve preku vlerën e rreth 100 milionë dollarëve ose 1 milion dollarë më tepër se plani i caktuar nga Ministria e Financave. Nivel të lartë arkëtimi kanë shënuar edhe mallrat e akcizës, të cilat kanë pjesën më të madhe (pas TVSH-së) në totalin e të ardhurave. Kështu, karburante janë zhdoganuar për 9-mujorin 2008, 308325 tonë nga 302113 tonë të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 2 përqindësh më shumë. Gjatë kësaj periudhe, cigare janë zhdoganuar rreth 3 mijë tonë, ose 500 tonë më shumë se një vit më parë, me një rritje prej 17 përqindësh më shumë. Kurse kafe janë zhdoganuar 4561 tonë nga 4478 të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rritje prej 83 tonësh ose 2 për qind më shumë. Edhe artikulli birrë ka shënuar rritje me 9 për qind. Statistikat tregojnë për një nivel zhdoganimi prej 27 mijë hektolitrash. Përveç këtyre treguesve, dogana publikoi dje edhe situatën e tregtisë së jashtme për janar-shtator 2008. Konkretisht, për këtë periudhë të vitit, eksportet kanë shënuar rritje me 11 për qind të volumit, ndërsa eksportet shqiptare (Made in Albania) rezultuan me rreth 38 për qind rritje. Si vlerë, eksportet janë realizuar në rreth 1.1 miliardë dollarë, me një rritje prej 19 përqindësh. Tek importet, shifrat paraqiten gjithnjë e më negative. Rritje e tyre si 9-mujor rezultoi me 15 për qind ose 500 milionë dollarë. Në total, volumi i importit vlerësohet në 3.5 miliardë dollarë.