Shtrenjtohet borxhi i qeverisë, bonot interesa rekord
Kërkesa e lartë për para e qeverisë, pas shpenzimeve publike ka ndikuar në rritjen e interesit të borxhit
Interesi i bonove të thesarit me afat 12 mujor ka arritur në 9.28%, më shumë se 1% më i lartë se në 2008-ën
Borxhi që merr qeveria në letra me vlerë, të njohura si bono thesari ka nisur sërish të shtrenjtohet gjatë muajve të fundit. Interesat e bonove të thesarit nga muaji maj e në vijim kanë njohur rritje në çdo ankand.
Rritja e interesit të borxhit që merr qeveria, kryesisht atij me afat maturimi 12 muaj, është diktuar nga një kërkesë në rritje e qeverisë për para, e diktuar kjo nga shpenzimet e larta të saj, si dhe nga një rënie në të ardhurat tatimore.
Në ankandin e fundit të zhvilluar mesjavën e shkuar, interesi për bonot me afat maturimi 12-mujor arriti në 9.28%, një rekord historik ky për këtë treg. Në korrik të vitit të kaluar, interesi i bonove të thesarit me afat maturimi 12-mujor ishte 8.21 për qind, ose rreth 1.1% më pak se interesi aktual.
Prej fillimit të këtij viti, interesi i bonove të thesarit me afat maturimi 1-vjeçar nuk ka rënë nën nivelin e 9 për qindëve. Gjatë muajve mars-prill, interesi mesatar i ponderuar arriti në 9.13%, për të nisur rritjen graduale nga muaji maj.
Gjatë periudhës qershor-korrik të këtij viti qeveria ka marrë rreth 84.3 miliardë lekë borxh nëpërmjet emetimit të bonove të thesarit, ose rreth 9 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2008.
"Kërkesa e lartë për para e qeverisë gjatë fushatës elektorale, e diktuar nga rënia e të ardhurave në buxhet ka ndikuar në rritjen e interesit të bonove të thesarit",- thonë specialistët e ekonomisë. Kriza botërore ka dhënë efektet e saj edhe në ekonominë shqiptare, ku të ardhurat tatimore nuk kanë arritur planin në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas tabelës së treguesve fiskalë të buxhetit të konsoliduar të 6-mujorit të parë, gjatë kësaj periudhe ka rezultuar një mosrealizim në të ardhurat nga tatimet dhe doganat prej rreth 10 miliardë lekësh. Megjithë mosrealizimin e të ardhurave në buxhet, shpenzime publike kanë tejkaluar planin me rreth 25 milioë dollarë mbi planin.
Tejkalimi i investimeve publike gjatë pjesës së parë të vitit, i dedikohet edhe fushatës elektorale, gjatë të cilës qeveria ka shpenzuar shumë para. E ndodhur në këtë situatë kërkesa e lartë e saj për para ka rritur interesin e bonove të thesarit.
Rënia e të ardhurave tatimore dhe tejkalimi i shpenzimeve në gjashtë muajt e parë të vitit ka ndikuar në thellimin buxhetor me rreth 60 milionë dollarë. Në total deficiti arriti në fund të qershorit 31.6 miliardë lekë, ndërkohë që qeveria e kishte planifikuar atë të ishte vetëm 25.9 miliardë lekë, ose 22.3 për qind më shumë.
Rritja e interesave të bonove të thesarit nuk ndikon vetëm në shtrenjtimin e borxhit që blen qeveria, por edhe në rritjen e interesave të kredive për bizneset dhe qytetarët. Bankat japin kredi për bizneset dhe qytetarët në varësi të interesit të bonove të thesarit.
Kryesisht interesat e kredive që bankat e nivelit të dytë japin për klientët ndjekin trendin e interesit të bonove të thesarit. Kryesisht interesat e kredive që jepen nga bankat llogariten si interes i BTH plus 5-7%.