E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset: Kërkojmë TVSH të përshkallëzuar

TVSH zero për makineritë e importuara, heqje referencash për mallrat nga BE dhe ulje e normës së interesit


Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i paraqet qeverisë paketën e vet fiskale, si masë për përballimin e krizës

Komuniteti i biznesit i ka paraqitur qeverisë një paketë kërkesash zbatimi i të cilave do të lehtësonte gjendjen e tij në këtë periudhë krize. Përshkallëzimi i tatimit mbi vlerën e shtuar dhe pagesa e tij me këste në disa raste, si dhe heqja e çmimeve të referencave për disa mallra të importit janë disa nga kërkesat që bizneset kërkojnë që qeveria e re t'i përfshijë në paketën e ardhshme fiskale. Gjatë prezantimit të kësaj pakete antikrizë, kryetari i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë, Gjok Uldedaj, tha se ka prezantuar një paketë kërkesash me lehtësira fiskale. Sipas tij, bizneset kërkojnë nga qeveria e ardhshme të bëjë ndryshime në sistemin fiskal dhe të krijojë lehtësira në pagimin e taksave. "Por mbi të gjitha, reduktimin e korrupsionit dhe abuzimit në masën më të madhe të mundshme",- tha dje Uldedaj.

Kërkesat

Përfaqësuesit e biznesit kërkuan dje përshkallëzim të TVSH-së sipas produkteve dhe shërbimeve. Sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, kjo kërkesë konsiston së pari në heqjen e TVSH për importin e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore dhe TVSH të paguhet vetëm në rastin e rieksportimit të këtyre makinerive. Ndërsa për industrinë e ndërtimit, Dhoma kërkon uljen e TVSH-së për makineritë e importuara dhe vlera e saj të paguhet me këste të zgjatura.

Gjithashtu edhe Konfindustria reagoi dje duke kërkuar heqjen e plotë ose shtyrjen deri në tre vite të pagesës së TVSH-së për makineritë dhe pajisjet. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, administratori Buxhuku deklaroi se kjo është një nga masat e domosdoshme dhe të mundshme për të rritur efektivitetin e ekonomisë shqiptare në afatgjatë. Sipas tij, vetëm në qershor importi i tyre ka rënë me 11 për qind, krahasuar me muajin paraardhës. "Të hiqet praktika e referencave doganore sidomos për importet nga Bashkimi Evropian ku kontratat nga këto vende dihet që janë të pa manipulueshme. Siç edhe e përcakton ligji, kontratat janë kriteri i parë i cili duhet ndjekur për zhdoganimin e një malli",- tha Uldedaj. Përveç qeverisë, përfaqësuesit e biznesit i kanë drejtuar një kërkesë edhe Bankës së Shqipërisë.


"Kërkojmë që Banka e Shqipërisë të konsiderojë mundësinë e uljes së normës së interesit duke e bërë më të lehtë kështu përballimin e kredisë nga biznesi, pasi tashmë presionet inflacioniste janë më të pakta",- tha ai. Duke mbetur tek kreditimi, Uldedaj tha se qeveria duhet të mbyllë sa me shpejt procesin e legalizimit, pasi kështu futen në treg më shumë asete që mund të lihen peng dhe për rrjedhojë rritet mundësia e kreditimit të operatorëve ekonomikë.

Kërkesat


1. Të ketë një përshkallëzim të TVSH-së sipas produkteve dhe shërbimeve. Kjo kërkesë konsiston së pari në heqjen e TVSH për importin e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore, dhe të paguhet TVSH vetëm në rastin e rieksportimit të këtyre makinerive dhe së dyti të ulet TVSH për importin e makinerive për përdorim në industrinë e ndërtimit dhe vlera e kësaj TVSH-je të paguhet me këste të zgjatura.


2. Kërkojmë që Banka e Shqipërisë të konsiderojë mundësinë e uljes së normës së interesit duke e bërë më të lehtë kështu përballimin e kredisë nga biznesi, pasi tashmë presionet inflacioniste janë më të pakta.


3. Po në këtë linjë qeveria duhet të mbyllë së me shpejt procesin e legalizimit, pasi kështu futen në treg më shumë asete që mund të lihen peng dhe për rrjedhojë të rrisin mundësinë e kreditimit të operatorëve ekonomikë.


4. Të hiqet praktika e referencave doganore sidomos për importet nga Bashkimi Evropian ku kontratat nga këto vende dihet që janë të pa manipulueshme. Siç edhe e përcakton ligji, kontratat janë kriteri i parë i cili duhet ndjekur për zhdoganimin e një malli.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›