Skema për blerjen e trojeve të lira shtetërore
Të gjithë ata që kanë privatizuar kompanitë shtetërore mund të blejnë deri në 500 m2
Privatizuesit e ndërmarrjeve mund të blejnë trojet e lira
Qeveria miraton tabelën ku përcakton sipërfaqet maksimale që mund të blejnë pronarët e rinj
TIRANË- Qeveria nxjerr në shitje të gjithë trojet në pronësi të shtetit, që ndodhen brenda apo përreth territorit të ndërmarrjeve shtetërore të privatizuara, ndërsa të ardhurat që do të mblidhen nga ky proces do të përdoren për kompensimin finaciar të ish-pronarëve.
Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave, i cili sapo ka hyrë në fuqi, pronarët të cilët kanë privatizuar ndërmarrjeve shtetërore kanë të drejtë të blejnë truall shtesë që ndodhet brenda ose përreth përreth territorit të ndërtesës së privatizuar nga ana e tyre.
Po ashtu, VKM-ja i jep të drejtë edhe atyre që kërkojnë të blejnë truall që nuk ndodhet në territorin e objektit të privatizuar apo përreth tij, por me kushtin që të jetë në proporcion me hapësirën që zë ndërmarrja.
Çmimi i truallit do të jetë sipas hartës së vlerës së tokës miratuar nga Këshilli i Ministrave, ndërsa pagesa bëhet në monedhën vendase dhe i gjithë fondi i përfituar kalon në llogari të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës për tu përdorur në kuadër të kompensimit financiar të ish-pronarëve.
Kushti themelor që pronari i ndërmarrjes duhet të plotësojë për të përfituar nga ky vendim ka të bëjë me faktin se projekti duhet të miratohet dhe të jetë pjesë e një studimi urbanistik për zonën.
Në qoftë se trualli që subjekti kërkon të blejë nuk ndodhet brenda apo përreth territorit të ndërmarrjes shtetërore të privatizuar nga ai, por në një zonë të veçuar, Vendimi i Këshillit të Ministrave i njeh përsëri atij të drejtën të blejë hapësirë të kufizuar në proporcion të sipërfaqës së objektit të privatizuar.
Kështu, nëse një subjekt ka privatizuar një ndërmarrje shtetërore me hapësirë 100 metër katror, ai mund të blejë truall shtesë në të njëjtën sipërfaqe. Ata që kanë privatizuar ndërmarrje me sipërfaqe deri në 500 m² mund të blejnë truall me hapësirë deri 150 m², ndërsa kush ka në pronësi një ndërmarrje me hapësirë deri në një dynym, gëzon të drejtën që të blejë deri në 200 m² tokë plus.
Në qoftë se, ndërmarrja shtetërore e privatizuar shtrihet në një hapësirë 1 deri në 5 dynym, pronari i saj mund të blejë truall shtesë deri në 300 m², ndërsa deri në 500 m² kanë të drejtë që të blejnë ata që kanë privatizuar objekt që shtrihet në një hapësirë nga 5 deri në 10 dynym.
Nëse një subjekt është i interesuar që të blejë truall shtesë për të zgjeruar aktivitetin e tij, mund ta dorëzojë kërkesën e tij pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave.
Krahas saj, ky i fundit duhet të paraqesë pranë kësaj zyre edhe vërtetim nga zyra e regjistrimit të pronave të paluajtshme për vendndodhjen e truallit që kërkohet të blihet; genplanin e sipërfaqës së kërkuar për t'u blere, përgatitur nga ekspertë të licencuar dhe kontratën e shitjes së ndërmarrjes shtetërore.
Disa javë më parë, Këshilli i Ministrave vendosi që të krijohej një llogari në emër të ish-pronarëve në të cilën do të derdhen të gjitha të ardhurat që janë të parashikuara për tu përdorur për kompensimin financiar të tyre.
Për këtë vit, fondi i përcaktuar me këtë qëllim është 6 milionë dollarë ndërsa, dje Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bëri publik emrat e atyre që kanë aplikuar për të përfituar nga ky fond. Përfituesit nga kompensimi për vitin 2009 do të përzgjidhen nga 520 aplikantë.