E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni, bllokohen 120 makina fati

Rreth tre mijë makina elektronike nga gjashtë mijë në total nuk respektojnë kriteret e përcaktuara në ligj


TIRANË- Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit prej tre ditësh ka nisur një aksion për bllokimin e makinerive elektronike që nuk përmbushin standardet e përcaktuara me ligj.


Sipas të dhënave, deri ditën e djeshme, vetëm në Tiranë dhe në Shkodër janë bllokuar rreth 120 makineri elektronike, ku pjesa më e madhe janë konfiskuar për shkak se ishin pa licencë.


Kështu, nga 120 pajisje, 98 prej tyre janë bllokuar për shkak se ushtrohej aktivitet në duke iu shmangur detyrimeve fiskale, ndërsa 22 të tjera me arsyetimin se nuk ishin certifikuar nga specialistë të këtij sektori, i cili sipas tyre bëhet për të mbrojtur lojtarët nga abuzimet e mundshme.


Në vazhdimësi të aktivitetit të saj, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit organizon herë pas here aksione të tilla, për sa i përket pikave që ushtrojnë aktivitet në mënyrë të jashtëligjshme, ndërsa risia qëndron në faktin se këtë radhë pjesë e kontrollit do të jenë edhe përmbushja e standardeve të kërkuara për makineritë elektronike.


Specialistë të kësaj njësie shpjegojnë se aksioni i këtyre ditëve është marrë për arsye se në datën 15 korrik ka skaduar edhe afati gjashtëmujor gjatë të cilit, sipas ligjit të ri për lojërat e fatit, duhej të përfundonte edhe certifikimi i të gjitha makinerive elektronike në kazino apo në sallat e lojërave të fatit në të gjithë vendin.


Sipas të dhënave, në të gjithë vendin ushtrojnë aktivitet rreth gjashtë mijë makineri elektronike, ku gjysma e tyre rezultojnë se punojnë pa licencë. "Gjysma e makinerive elektronike ekzistuese është jashtë parametrave të kërkuara dhe me ligj dhe duhet të dalin nga qarkullimi.


Për këtë qëllim, Njësia Mbikëqyrëse e Lojërave të Fatit ka nisur një aksion të gjerë në shkallë vendi, për bllokimin dhe më pas shkatërrimin e makinerive të padeklaruara apo që nuk përmbushin standardet",- shprehen specialistët.


Këta të fundit bëjnë me dije gjithashtu se certifikimi i makinerive elektronike nga ana e tyre ka të bëjë me një sërë kushtesh teknike, të cilat mbi të gjitha janë në favor të lojtarëve duke iu ofruar atyre mbrojtje, ndaj çdo forme abuzimi nga organizatorët e lojërave.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›