E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhen për zgjedhje

Hashim Thaçi iu përgjigj Isa Mustafës. Ai tha se zgjedhjet e ardhshme mbahen në vitin 2014, e jo në vitin 2011, siç po kërkon Kryetari i LDK’së. Por, deklarimet e Kryeministrit nuk e zmbrapsën Mustafën. Ai tha se Thaçi vetëm mund ta dëshirojë një mandat tjetër të plotë në Qeveri. Nga Shpend Limoni më 24 dhjetor 2010 në ora 08:29

Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi ka gjetur kohë të premten edhe për kundërshtarët e tij politikë.

Të enjten ai ka mbledhur kabinetin e mbetur qeveritar, ku ka përçuar mesazhe për kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën, i cili është duke kërkuar zgjedhje të reja, të cilat, sipas tij, duhet të mbahen në shtator të vitit të ardhshëm - me arsyetimin se zgjedhjet e 12 dhjetorit nuk mund të prodhojnë institucione legjitime për shkak të manipulimit të votave.
Thaçi në disa raste pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit ka polemizuar me Mustafën, duke thënë se kreu i LDK’së është njeri që i përket së kaluarës dhe se po ankohet për shkak se i ka humbur zgjedhjet.

Kryeministri në dorëheqje të martën i ka dërguar Mustafës vetëm një përgjigje indirekte, ku ka përjashtuar mundësinë që të ketë zgjedhje të shpejta.

“Kjo është mbledhja e parë pas organizimit të zgjedhjeve nacionale si Qeveri e Kosovës, por natyrisht se politika e Qeverisë, e këtij kabineti me integrimin e koncepteve shtesë qeverisëse, do të vazhdojë në kuptimin e mandatit të ardhshëm katërvjeçar, deri në vjeshtën e vitit 2014, pastaj gjithashtu me konsolidimin e shtetit dhe forcimin e shtetit, të Kosovës evropiane, të Kosovës me liberalizim të vizave, të Kosovës si pjesë të NATO’s dhe afruar shumë afër për integrim në Bashkimin Europian”, ka thënë Thaçi.

Në këtë mënyrë, Thaçi ka hedhur poshtë mundësinë e krijimit të një qeverie teknike, e cila do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

Deklaratat e Thaçit kanë gjetur përgjigjen e Isa Mustafës, i cili ka insistuar që të mbahen “zgjedhje të rregullta” duke thënë se mandati i plotë i Thaçit është dëshirë.

“Shpresat dhe realiteti janë dy çështje të dallueshme”, ka thënë ai.
“Mendoj se këto zgjedhje kanë dështuar në legjitimitet dhe nuk e shoh që vendi udhëhiqet me zgjedhje të dështuara, prandaj duhet të ketë zgjedhje të rregullta”, ka shtuar Mustafa.

Në fakt, të enjten, Thaçi dhe Mustafa janë shtyrë edhe me deklarata të tjera.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri ka folur për “hijeshinë” e zgjedhjeve përderisa ka thënë se ato do të prodhojnë edhe një opozitë konstruktive.
“Natyrisht se këto zgjedhje i kanë dhënë hijeshi demokracisë, sepse do të kemi një opozitë të re, besoj korrekte, konstruktive dhe të shëndoshë për demokracinë e re në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Por Mustafa i ka hedhur poshtë këto pohime gjatë një fjalimi në përvjetorin e LDK’së në Hotel Grand.

“Qytetarët e Kosovës e meritojnë një qeverisje të pastër. Kosova do të udhëhiqet nga ata që marrin besimin e qytetarëve, e kurrsesi nga ata që keqpërdorin votën e tyre”, ka thënë Mustafa.

Kërkesat e Mustafës janë komentuar edhe nga zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi pas mbledhjes së Qeverisë.

Krasniqi ka ironizuar me kërkesat e LDK’së.

“Politika nuk është fontanë dëshirash, politika është e bazuar në fuqinë politike momentale në zhvillimet aktuale politike dhe në bazë të parimit demokratik të votës së lirë të qytetarëve. Vota e lirë e qytetarëve ia jep sigurinë Kryeministrit Hashim Thaçi se do të jetë mandatar i ardhshëm, sepse edhe është njeriu më i votuar, më shumë sesa të gjithë të tjerët, por edhe udhëheq partinë e cila ka marrë besimin e qytetarëve për ta udhëhequr mandatin e ardhshëm”, ka thënë ai.

Vetëvendosje, “marksistë dhe të paedukatë”

Qeveria e Kosovës u ka dhënë një epitet të ashpër anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i quajtur marksistë dhe të paedukatë. Këto deklarata i janë dhënë Lëvizjes Vetëvendosje, pas akuzave të këtyre të fundit lidhur me UÇK’në, ku kanë thënë se disa krerë të UÇK’së janë krerë të krimit. Përgjigjen në emër të Qeverisë e ka bërë zëdhënësi i saj, Memli Krasniqi. “Ata kanë mentalitet marksist dhe janë të paedukatë. Ata kanë qenë të rinj kur ka pasur luftë”, ka thënë Krasniqi, duke dhënë porosinë se anëtarët e Vetëvendosjes do të kenë kohë të mësohen.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›