E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet 6 muaj verifikimi i tapive

 

BLEDAR HOTI

Qeveria merr vendim për shtyrjen e afateve të përcaktuara në ligjin  e “Verifikimit të titujve të pronësisë”. Edhe pse ka një vit që ka hyrë në fuqi një ligj i tillë, qeveria kërkon të shtyjë me gjashtë muaj një pjesë të procesit të verifikimit të tokës bujqësore të marrë në përdorim, pa titujt e pronësisë. Ngecja e procesit të verifikimit të titujve të pronësisë ka detyruar qeverinë t’i japë edhe gjashtë muaj kohë bashkive dhe komunave për të realizuar procesin e verifikimit të tokave bujqësore në përdorim nga fermerët. Në vendimin e marrë nga qeveria sanksionohet se “pas nenit 18 të ligjit “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, pas nenit 18 shtohet neni 18/1 “afati i përcaktuar në pikën 6, të nenit 8, shtyhet edhe 6 muaj nga data e hyrjes në fuqi e këtij neni”. Nenin se vlefshmëria e verifikimit të titujve të pronësisë është një proces që zgjat tre vjet, nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Ligji ka hyrë në fuqi më 31 korrik të vitit 2008, ndërsa shtyhet zbatimi edhe gjashtë muaj pas 2011, deri në 2012.
Kategoritë e shtyrjes
Afati gjashtë mujor, qeveria e shtyn vetëm për rastet specifike që kanë të bëjnë kur: “komisioni i fshatit nuk ka plotësuar dokumentacionin ligjor për ndarjen e tokës. Ndërsa shtyhet edhe për gjashtë muaj të tjera zbatimi i ligjit për gërmën b), të pikës 6 të nenit 8. Kjo për rastet “Familjet bujqësore ose individët, që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë tokën bujqësore dhe që janë subjekte ligjore të trajtimit me tokë në pronësi, sipas nenit 3 të këtij ligji, por që nuk janë pajisur me dokumente pronësie dhe që për këtë sipërfaqe nuk janë lëshuar akte të marrjes në pronësi së tokës për persona të tjerë”. Propozimi për ndryshimin e këtij ligji ka ardhur me propozim të Komisionit Qeveritar të Tokës dhe mban firmat zv.kryeministrit Genc Pollo, Ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana dhe të Ministrit të Drejtësi, Enkelejd Alibeaj. “Duke qenë se në rastet e parashikuara në paragrafet a) dhe b) të nenit 8, pika 6 përbëjnë një volum të konsiderueshëm, për t’u ardhur në ndihmë fermerëve të cilët përmbushin kërkesën e mësipërme, propozojmë zgjatjen e këtij afati për 6 muaj nga hyrja në fuqi e këtij amendamenti të këtij ligji”, thuhet në relacionin e firmosur nga tre anëtarët e kabinetit qeveritar. Duket se bashkitë dhe komunat nuk po zgjidhin rastet e krijuara për këto kategori personash që kanë marrë tokën bujqësore pa pronësi, qeveria ka menduar që të shtyjë për gjashtë muaj përgatitjen e dokumentacionit. Ndërsa nuk preken rastet e zgjidhjes së mbivendosjeve së pronësisë dhe të verifikimit të dokumentacionit të marrë, të titujve të pronësisë, gjatë këtyre 18 viteve si rezultat i zbatimit të ligjit 7501 “Për tokën”. Para disa ditësh qeveria mori vendim për përcaktimin e formularëve, certifikatave të njohjes së titujve të pronësisë. Këto formularë janë shpërndarë për prefekturat, ku janë ngritur edhe komisionet vendore të verifikimit të titujve të pronësisë. Mbi bazën e kësaj procedure, Komisioni Vendor duhet t’ia kalojë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive që kanë detyrimin ligjor për regjistrimin e pronës së re.

ligji per titujt e pronesise

Neni 8, pika 6
Komisioni Vendor urdhëron kryetarët e komunave dhe të bashkive të plotësojnë aktet e marrjes së tokës në pronësi, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore në rastet kur:
a) Kur komisioni i tokës së fshatit nuk ka plotësuar dokumentin ligjor të ndarjes së tokës;
b) Familjet bujqësore ose individët, që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë tokën bujqësore dhe që janë subjekte ligjore të trajtimit me tokë në pronësi, sipas nenit 3 të këtij ligji, por që nuk janë pajisur me dokumente pronësie dhe që për këtë sipërfaqe nuk janë lëshuar akte të marrjes në pronësi së tokës për persona të tjerë;
Dokumenti i plotësuar dorëzohet në KV dhe pas verifikimit kalohet në SAMT-it të qarkut.
Për çdo rast të mos pranimit të marrjes së këtij dokumentacioni nga familjet bujqësore, apo nga individët mbahet në procesverbal për refuzim toke.
Familjet bujqësore që refuzojnë marrjen e tokës në pronësi sipas këtij ligji dhe që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë atë, u nënshtrohen sanksioneve të parashikuar në kreun III të këtij ligji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›