E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH, PS: Qeveria hesht për abuzimet

 

Partia Socialiste i kërkoi shumicës parlamentare të kalojë sa më shpejt në kuvend për diskutim raportin e KLSH-së për vitin 2008. Nënkryetari i grupit PS, Erjon Braçe tha dje se maxhoranca i trembet ballafaqimit me faktet që flasin për abuzime, duke iu shmangur raportit. “Qeveria edhe pse e ka njohur këtë raport, hesht, kur duhet të vepronte me seriozitet dhe t’u kërkonte menjëherë falje taksapaguesve për dëmin e shkaktuar ndaj parave të taksave të tyre. Ndërsa hesht për një dokument zyrtar të një institucioni kushtetues” theksoi Braçe gjatë një konference për mediat. Duke akuzuar kreun e qeverisë për refuzimin e rekomandimeve ligjore të KLSH-së, Braçe deklaron se ky është një krim për faktin se mohohet ulja e kostove dhe uljen e dëmeve ndaj parave të taksapaguesve. “KLSH ka denoncuar faktin se qeveria ka refuzuar zbatimin e rekomandimeve të tij për uljen e kostove, për pasojë edhe të dëmeve të evidentuara dhe denoncuara nga vetë KLSH në ndërtimin e 56 kilometrave rrugë tashmë tejet të njohur Rrëshen- Kalimash” theksoi Braçe. Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka arritur të nxjerrë koston financiare të rrugës Durrës-Kukës, pasi qeveria nuk ka dhënë informacionet që i janë kërkuar. Kjo edhe pse KLSH-ja është institucioni që mbikëqyr menaxhimin e buxhetit, me anë të së cilit është financuar një pjesë e punimeve. Në raportin e fundit të KLSH-së theksohet se qeverisë i është kërkuar rishikimi i disa shtojcave të kontratës, me qëllim uljen e kostos së rrugës, por ekzekutivi nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›