E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet “Gjykata Administrative", Bumçi: Po presim PS

 

Komisioni parlamentar i Ligjeve ka shtyrë me kërkesë të PS-së votimin e projektligjit për krijimin e Gjykatës Administrative. Në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni, deputetët e PS-së, Pandeli Majko dhe Besnik Dervishi kërkuan dhjetë ditë afat për të paraqitur propozimet e tyre mbi këtë projektligj. Nisur nga ky qëndrim, maxhoranca ka pranuar që të japë dhjetë ditë kohë për të reflektuar mbi një p/ligj shumë të rëndësishëm, i cili kërkon një shumicë të cilësuar votash. "Nuk mund të dyshojmë në qëndrimin, pasi për ne është e rëndësishme që reforma në drejtësi të realizohet në konsensus me opozitën", deklaroi Bumçi. Ndërsa hodhi poshtë pretendimin e opozitës për mungesa fondesh për pushtetin gjyqësor. Ai ka theksuar se, "nuk mund të ketë hamendësime se socialistët nuk do të japin konsensus, pasi deputetët e komisionit mbajtën qëndrim të ndryshëm nga lideri i PS-së, Edi Rama. Pas kërkesës për shtyrjen e votimit për ndryshimet e Kodeve Penale, PS-ja hodhi në tryezë kërkesën për shtyrjen e një tjetër p/ligji, që është pjesë e reformës për drejtësi. Zëdhënësi i grupit të PD-së, Bumçi, hodhi poshtë pretendimet e mbajtura nga Xhafaj për një ulje në buxhetin e institucioneve të pavarura në sistemin e drejtësisë. "Çdo hallkë  e Ministrisë së Drejtësisë ka një rritje të ndjeshme në krahasim me vitin '08 dhe organi i akuzës e gjyqësori shënojnë rritjen më të madhe. Kjo është e vërteta mbi mbështetjen që buxheti 2009 i jep sistemit të drejtësisë", ka pohuar Bumçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›