E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramiz Alia: Pse Rama dhe Meta duhet të shkojnë bashkë në zgjedhje

 

Ramiz Alia

Tashmë mund të thuhet se pak nga pak po ndihet atmosfera e zgjedhjeve të vitit 2009. Në "prag-fushatën", nëse mund ta quajmë kështu, forcat politike po përdorin "goditjet me artileri", tamam siç veprojnë ushtarakët para se të fillojnë sulmin për të marrë një pozicion të rëndësishëm. Në fjalimet dhe deklaratat e shumta të krerëve të shumicës qeverisëse dhe të atyre të opozitës shpalosen sulme, akuza e sharje gjithfarëshe, të shumtën në plan personal, ndaj kundërshtarit politik. Rekordin e mban Berisha, i cili për të qenë më i lirë "hoqi edhe xhaketën" në Kuvendin e Shqipërisë. Por nuk bien poshtë edhe Rama e Meta dhe shokët e tyre të krahut të majtë. Ndoshta kështu mendojnë se do të "shkatërrojnë" kundërshtarët e drejtpërdrejtë dhe se kështu do të bëjnë për vete, secila palë, votuesit.
Po për çfarë do të votojnë zgjedhësit? Për forcën e "muskujve" apo "stilin" e sharjeve, kur ende nuk dinë cili është programi dhe çfarë do të presin nga vota e tyre. Dihet se për zgjedhësit themelore nuk janë sharjet e akuzat personale që lëshojnë krerët e politikës. Për ata rëndësi ka të dinë për çfarë duhet të votojnë; të jenë të ndërgjegjshëm ç'të mira do t'u sjellë vota? Berisha ua tha njerëzve qëllimin e vet: Ai e kërkon votën e zgjedhësve sepse do të mbjellë 25 milionë rrënjë ullinj brenda  tre viteve të ardhshme. Eshtë program shumë konkret dhe fare i qartë: Kush e do ullirin le të votojë për Berishën! 
Por më e vështirë është për zgjedhësit e majtë, për ata që do ta hedhin votën për Ramën e për Metën? Rezulton se këta liderë të së majtës, përveç polemikës me Berishën, janë të zënë edhe me polemikë midis vedit, sepse kanë ende hesape për të larë me njëri-tjetrin. Siç duket dy liderët e sipërm mendojnë që programin e ardhshëm do ta bëjnë pasi të mbarojnë "duelin" midis tyre.
E majta përmbledh jo vetëm socialistët e partizanët e së majtës, por edhe ata që janë deziluzionuar nga sundimi berishian. Të gjithë kërkojnë ndryshim dhe kanë shpresë tek e majta, sepse kërkojnë të kenë një qeveri që të zgjidhë hallet e njerëzve të thjeshtë, të fshatit e të qytetit, që të kenë punë, të kenë drita e ujë, të kenë rregull e ligj. Po ku është ky program? Apo duke u grindur me njëri-tjetrin krerët e partive të majta ekspozojnë synimet e tyre, që më shumë u përgjigjen interesave të tyre të ngushta dhe aspak elektoratit që pret, njerëzve që kërkojnë ndryshim për të mirën e Shqipërisë dhe të popullit të saj?
Mund të thuhet pa asnjë dyshim, se jo vetëm anëtarët socialistë e dashamirët e tyre, por edhe masat e gjera të publikut janë mërzitur me "muzikën" që dëgjojnë. Sot gjithnjë e më shpesh e në mënyrën më imperative qarkullon një dëshirë e vetme: "E majta duhet të bashkohet, që të jetë një bllok, që të udhëheqë shqiptarët drejt fitores".
A ka mundësi të realizohet ky bashkim? Është e vërtetë se "çarja" është e madhe, jo aq për idetë e ndryshme, për programin, sesa për çështje që lidhen me grindjet personale, me synimet individuale. Por për të fituar mbi Berishën, për të siguruar suksesin e padiskutueshëm të së majtës, është e domosdoshme të kalohet mbi çdo gjë që nuk lidhet me interesin e përgjithshëm të fitores në zgjedhjet e ardhshme. Politikanët përgjegjës të krahut socialist duhet të kuptojnë se PS, LSI e PS '91 nuk janë Rama, Meta e Koçi, por është gjithë anëtarësia socialiste, janë gjithë shqiptarët që kërkojnë të dalin nga qorrsokaku berishian, që kërkojnë zhvillimin e përparimin e Shqipërisë drejt integrimit me gjithë Europën.
Gjendja e rëndë e së majtës, grindjet dhe përçarja që ekziston ka bërë që qysh tani të pranohet si fakt i kryer se e majta do të shkojë në zgjedhje e ndarë, e përçarë. Dhe për pasojë ka analistë e vëzhgues të ndryshëm që guxojnë të hedhin ide edhe për atë që mund të ndodhë pas zgjedhjeve. Bile, sipas këtyre analizave, nuk është e pamundur që pas zgjedhjeve të ketë edhe një qeveri PS-PD, pra një aleancë midis dy forcave kryesore të krahut të majtë e të djathtë.
Le të mos komentojmë këtë "teorizim". Por ai, përsëri e përsëri, shtron çështjen që e majta duhet të bashkohet, se ajo duhet të evitojë çdo variant, përveç bashkimit të majtë. Krerët socialistë të krahut të majtë duhet të reflektojnë seriozisht dhe t'u dalin përpara sfidave të shumta me të cilat do të ndeshen në të ardhmen. Ato sfida logjikisht do të synojnë thellimin e përçarjes dhe shtimin e armiqësive personale, me qëllim që në një mënyrë ose tjetër forcat e djathta berishiane të vazhdojnë "të shijnë" në lëmin shqiptar.  
Njerëzit janë mërzitur nga Berisha dhe bëmat e tij që kanë shkatërruar jetën dhe qetësinë e njerëzve, që e kanë dëmtuar vendin dhe penguar zhvillimin e përparimin e tij. Tashmë masat e gjëra të popullsisë, ata të cilëve u qan shpirti për ditë më të mira, për një jetë dhe të ardhme me dritë, siç e meritojnë plotësisht, nuk kanë pse të presin më gjatë. Ka ardhur momenti t'u thonë hapur e me zë të lartë Ramës e Metës, Nanos, Koçit e kujtdo tjetër që gjendet në krye të së majtës: "Mjaft me grindje! Duam bashkim dhe një program konkret që të shërbejë si platformë për të gjithë socialistët". "Nëse ju vazhdoni politikën që ushqen përçarjen, atëherë ju dhe vetëm ju do të jeni përgjegjës për të gjitha pasojat që mund të rezultojnë në dëm të krahut të majtë. Mos harroni se 'Dushku' i 2005-ës u krijua nga grindjet në gjirin e së majtës që i hapën rrugën Berishës?".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›