Topi në Turqi, Gyl firmos dekretin e Shqipërisë në NATO
Një ditë para vizitës së Presidentit Bamir Topi në Turqi, parlamenti i këtij vendi ratifikoi protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ndërkohë që dje, në prani të kreut të shtetit, Presidenti Gyl firmosi dekretin. Topi nisi dje vizitën dy ditore në Ankara teksa u takua fillimisht me homologun e tij dhe më pas me kryeministrin dhe Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Këksal Toptan. Në takimin e zhvilluar në vijim mes dy Presidentëve dhe delegacioneve zyrtare të kryesuara prej tyre, u vlerësuan marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Turqisë në të gjitha fushat, "marrëdhënie të cilat burojnë nga miqësia dhe lidhjet tradicionale, historike, kulturore midis dy popujve tanë. Presidenti Topi dhe Presidenti turk Gyl shprehën interesimin e përbashkët të shteteve respektive në zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, duke nënvizuar rëndësinë e rritjes së mëtejshme dhe cilësore të bashkëpunimit ekonomik", thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës. Në këtë kontekst, Kryetari i Shtetit shqiptar vuri në dukje faktin se Turqia është një partner i rëndësishëm strategjik, ekonomik e tregtar për Shqipërinë, duke iu referuar për këtë dhe treguesve të investimeve, apo dhe totalit të shkëmbimeve tregtare. "Ne inkurajojmë e nxisim më tej numrin e madh të kompanive turke që operojnë me sukses në Shqipëri, për të rritur më tej investimet e tyre në vendin tonë, si dhe bizneset prestigjioze turke dhe përfaqësuesit e tyre, për të investuar në sektorë të ndryshëm dhe të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë sonë, si sistemi bankar, infrastruktura, energjetika, hidrokarburet, turizmi, etj.", - u shpreh Presidenti Topi. Në takimin mes kryeministrit Erdogan dhe kreut të shtetit shqiptar, u vu në dukje rëndësia e intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ekon-omike mes dy vendeve.