Vasili: Sot protesta në shesh kundër pazarit PS-PD
LSI nis sot fazën e dytë të protestës kundër dy partive të mëdha për Kodin e ri Zgjedhor. Gati një javë e gjysmë pas daljes nga greva, kjo forcë do të organizojë sot protestën e parë, siç e quan ajo, në mbrojtje të votës së lirë dhe standardeve demokratike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili tha dje në një konferencë për shtyp se "ne u bëmë të kuptojnë të gjithë qytetarëve që çdo lëvizje jashtë votës së lirë është lëvizje jashtë sistemit, e cila ç'ekuilibron jetën dhe liritë e qytetarëve në këtë vend. Këto cenime të mëdha ne i kemi bërë publike dhe kanë filluar që me cenimin e Kushtetutës, e cila u trajtua si një Pazar dhe si një larje borxhesh reciproke, dhe jo si një proces themelor që do të shtonte demokracinë, por si një rrëshqitje e rrezikshme drejt autokracisë dhe neodiktaturës në Shqipëri". Sipas Vasalit ngjarjet e fundit, ajo e miratimit të Kodin Zgjedhor dhe të paraprira edhe me ngjarjet me Kushtetutën kanë bërë një shkarje të rrezikshme jashtë shinave të një shteti demokratik. "Bazuar në këtë mision të madh dhe mbi këtë qartësi të mesazhit tonë, që lidhet dhe qëndron vetëm e vetëm te shenjtëria e votës dhe ai slogan tashmë popullor dhe familjar për të gjithë, pra që vota është e shenjtë dhe vota është demokraci, janë motivet dhe arsyet e mëdha që ne të kulmojmë në këtë aksion politik tonën në një kulm tjetër të manifestimit paqësor, demokratike domethënës, nesër, pra ditën e enjte në sheshin "Skënderbej", në orën 4 pasdite", theksoi Vasili. Ndërkohë dje ka reaguar edhe PDK-ja, e cila në mbledhjen e kryesisë ka diskutuar situatën pas miratimit të Kodit Zgjedhor, ku PDK e LSI ngelen pa komisioner.