Xhafaj: Pakti për Reformën, të rritet buxheti i Gjyqësorit
Partia Socialiste akuzoi maxhorancën për mos plotësim të paktit kombëtar me drejtësinë. Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, në një konferencë për shtyp bëri të ditur se mosangazhimi serioz i demokratëve vë në pikëpyetje fatin e Reformës në Drejtësi. Xhafaj mbajti këtë qëndrim zyrtar një ditë pasi Kryeministri Sali Berisha ftoi opozitën për të realizuar reformën në sistemin e drejtësisë. Socialistët kërkojnë që Kryeministri të tregojë vullnet duke rritur buxhetin e institucioneve të pavarura të drejtësisë. Sipas Xhafajt, është e domosdoshme që shteti të realizojë një mbështetje financiare të këtij sistemi sipas një plani veprimi të shtrirë në një hark kohor disavjeçar, duke arritur deri edhe në përcaktimin e një niveli financiar si një përqindje e caktuar e PPB. "Të përcaktohet një nivel minimum i përqindjes që duhet të zënë fondet buxhetore për sistemin e drejtësisë, përfshi këtu edhe Ministrinë e Drejtësisë, që në total kjo shifër duhet të jetë jo më pak se 1%", tha Xhafaj. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve parashtroi dhe kërkesat konkrete të opozitës në rritjen e fondeve. "Propozojmë që t'i jepen buxhetit të institucioneve të drejtësisë dhe veçanërisht KLD, ZABGJ, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shkollës së Magjistraturës mbështetja e kërkuar buxhetore lidhur me shpenzimet operative", tha Xhafaj. Ato duhet të shkojnë për "rritjen e pagave të gjyqtarëve, prokurorëve dhe të gjithë funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë në atë masë që të jetë si mburojë ndaj presioneve që synojnë të ndikojnë në vendimet e tyre dhe në përgjithësi në sjelljen e tyre, duke ndihmuar në garantimin e pavarësisë dhe paanshmërisë". Sipas tij, "qeveria mund t'i marrë paratë nga shkurtimi i abuzimeve me fondet buxhetore që i akordohen segmentit Rrëshen-Kalimash; nga shkurtimi i buxhetit për qeverinë dhe ministritë e linjës, të cilat mund të zëvendësohen nga kursimet e sjella nga lufta antikorrupsion me shtesën e buxhetit të vitit 2009, si dhe nga privatizimi i ARMO-s".