E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet buxheti i Tiranës, PD dhe LSI: Duam Edi Ramën

Këshilltarët e djathtë kërkojnë informacione shtesë për taksat, çerdhet dhe investimet

Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2010 dhe ai afatmesëm 2010-2012 nuk ka mundur as të prezantohet në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak kryeqytetas. Këshilltarët e Partisë Demokratike, të mbështetur edhe nga ata të LSI-së, kanë propozuar shtyrjen e diskutimit të tij deri në marrjen e informacioneve plotësuese nga bashkiakët për një seri me kërkesa që ata kanë parashtruar. Kreu i grupit të këshilltarëve të PD-së, Ferdinand Poni, që në fillim të mbledhjes ka theksuar se në këtë projektbuxhet mungojnë shumë informacione, si ato për sistemin e taksave dhe tarifave në kryeqytet. Sipas Ponit, mungojnë të dhënat e detajuara për këto taksa dhe tarifa, ku në buxhet janë shënuar vetëm shumat që bashkia pretendon të mbledhë këtë vit.

Nga ana tjetër, ai ka kërkuar edhe informacione lidhur me numrin e kopshteve dhe të çerdheve publike në Tiranë, kapacitetin e tyre dhe sidomos për funksionimin e sistemit ngrohës në to. Përveç këtyre, këshilltarët e PD-së janë shprehur se duan informacion shtesë edhe për sa i përket nivelit të investimeve, atyre që planifikohen këtë vit si të reja dhe realizimit të atyre të një viti më parë. Këshilltarët e PD-së dhe të LSI-së, sikundër tashmë është bërë e njohur edhe në mbledhjet e tjera të këtij këshilli, kanë kërkuar që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të jetë prezent “për të treguar punën e tij dhe të institucionit që drejton”. Po kështu, këshilltarët e PD-së kërkuan nga drejtuesit e bashkisë që të dorëzonin një material me shkrim edhe lidhur me të ardhurat nga ALUIZNI. Një debat me tone të forta ka hapur çështja e realizimit faktik të buxhetit të vitit 2009. Nënkryetarja e bashkisë, Albana Dhimitri, në mbrojtje të dokumentit më të rëndësishëm të këtij institucioni, i është përgjigjur Ponit, duke thënë se kërkesa për informacion plotësues me shkrim është një luks i tepërt. Kjo, edhe për faktin se në mbledhjet që komisionet kanë zhvilluar për t’u njohur e debatuar për buxhetin kanë qenë prezent të gjithë drejtorët e bashkisë. Sipas Dhimitrit, ata u janë përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe interesimit të shfaqur nga ana e këshilltarëve të djathtë. Ndërsa lidhur me realizimin faktik të buxhetit 2009, ajo ka sqaruar se procedurat ligjore janë të njëjta me atë të buxhetit të shtetit. Pra, afati i paraqitjes së këtyre rezultateve është muaji maj ose qershor i vitit pasardhës. Ajo u ka përmendur të pranishmëve faktin se në qershor të 2009-s u paraqit relacioni për buxhetin e vitit 2008, por askush nuk shfaqi ndonjë interes për të. Megjithatë, Ferdinand Poni ka kërkuar që të ketë një prezantim të realizimeve të projekteve të 2009-ës me shifrat e deritanishme.

Toneve të debatit në këtë mbledhje, ashtu sikundër ishte parathënë edhe nga pjesëmarrësit, nuk i ka shpëtuar ngjyrimi politik, madje edhe i drejtpërdrejtë. Kreu i këshilltarëve demokratë, Poni, është shprehur publikisht se socialistët duhet të mbledhin mendjen dhe të kthehen në Parlament. Ndërsa replikat më të forta për transparencën publike të buxhetit janë zhvilluar më së shumti mes kreut të Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, dhe numrit dy të bashkisë, Albana Dhimitri. Dervishaj ka nxitur debatin, duke thënë se një vit më parë e mbante mend nënkryetaren Dhimitri me një stendë nga pas, duke bredhur nëpër njësitë bashkiake, porse këtë vit bashkiakët, sipas Dervishajt, nuk janë parë gjëkundi përveçse në mitingje. Ajo që ka mbrojtur përmes argumenteve dokumentin e buxhetit bashkiak ka qenë Adriana Berberi, këshilltare e PS-së, njëkohësisht kryetare e Komisionit të Ekonomisë. Berberi u ka detajuar këshilltarëve “kundër” të PD-së dhe LSI-së se gjatë mbledhjes së komisionit të gjitha vërejtjet apo paqartësitë janë sqaruar nga drejtorët e bashkisë që u morën në intervistë. Ndërkohë që sipas Berberit, buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2010 dhe ai afatmesëm 2010-2012 është krejtësisht i detajuar dhe mbart informacionin e nevojshëm edhe për taksat e tarifat vendore apo për çështjet e tjera të ngritura nga demokratët. Madje ajo nuk ka munguar të shtojë se këshilltarët e PD-së duket se nuk kanë pasur durimin e duhur për ta lexuar integralisht këtë dokument. Këshilltarja Berberi tha se ajo që do të ishte e rëndësishme në këtë mbledhje ishte fakti që qytetarët e Tiranës të sqaroheshin se çfarë do të ketë këtë vit për ta. Këshilltarët socialistë kanë kërkuar që të procedohej me prezantimin e buxhetit nga ana e bashkisë, por hedhja në votë e propozimit të PD-së për informacione shtesë lidhur me kërkesat e tyre e ka shtyrë diskutimin e këtij dokumenti, më i rëndësishmi jo vetëm për bashkinë, por veçanërisht për qytetarët.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›