Rihapen bisedimet për centralin bërthamor bullgar
Ministri rus i Energjisë, Sergey Shmatko, i shoqëruar nga kreu i Korporatës Ruse për Energjinë Bërthamore mbërritën dje në kryeqytetin bullgar Sofje, ku sipas medias vendase pritet të diskutojnë për mundësinë e ndërtimit të termocentralit bërthamor të Bullgarisë me fonde nga Moska. Vetëm pak ditë më parë, drejtori i gjigantit të gazit, “Gazprom”, Alexei Miller, vizitoi Sofjen pa paralajmërim dhe u takua me Kryeministrin e vendit, në atë që media e cilësoi si “bisedime për të hapur bisedime”.
Bullgaria po planifikon prej vitesh të ndërtojë një central të ri bërthamor mbi Danub pranë qytetit të Belenes, por punimet kanë mbetur pezull si pasojë e mungesës së investitorëve.
Ministri i Ekonomisë dhe Energjisë së Bullgarisë, Traicho Traikov, njoftoi në fillim të javës se vendi i tij po mendon të kërkojë një kredi prej rreth 2 miliardë eurosh prej kompanisë “Rosatom”, në mënyrë që punimet për ndërtimin e termocentralit në Belene të vijojnë gjatë viteve 2010 dhe 2011. Por, nga ana tjetër, ministri i Financave, Simeon Djankov, deklaroi se nuk ka ndër mend të lëshojë garanci shtetërore për një kredi të tillë. Rosatom deklaroi vitin e kaluar se është e gatshme të financojë një projekt për termocentral bërthamor në Bullgari me vlerë prej miliarda eurosh. Sofja po kërkon aktualisht një konsulent për të hartuar një plan se si të tërheqë financime dhe investitorë për projektin. Fillimisht kompania gjermane RWE mori përsipër financimin e gjysmës së projektit, por u tërhoq vitin e kaluar si pasojë e tejkalimit të kostove fillestare. Projekti parashikon ndërtimin e një kapaciteti prej 2 mijë MW, sasi kjo që mund të ndihmojë në furnizimin e rregullt me energji të të gjithë Ballkanit.
#