Delegacioni i KiE, takimet në Tiranë
Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të KiE-së mbërrin nesër në darkë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe akomodimi do të bëhet te hotel “Rogner”. Më 22 shkurt, në orën 09.15 minuta, delegacioni prej rreth 10 vetash do të takohet për 1 orë me Presidentin Bamir Topi. Takimi i dytë në radhë do të pasojë me kryeparlamentaren Jozefina Topalli, për t’ua lënë vendin bisedimeve me Kryeministrin Sali Berisha në orën 11.45 minuta. Delegacioni ka në dispozicion rreth 2 orë të lira për të drekuar dhe në orën 15.15 minuta eskorta e makinave të zyrtarëve të lartë të Këshillit të Europës do të ndalet te selia rozë, ku do të pritet nga kreu i opozitës, Edi Rama. Palët kanë 90 minuta kohë për të dëgjuar njëra-tjetrën, por sidomos pretendimet e socialistëve për transparencën e zgjedhjeve të kaluara, çka do t’i kthente ata në Parlament. Në orën 17.00 deri në 18.00, delegacioni i Asamblesë Parlamentare do të ketë një takim përmbledhës me kreun e shtetit, i cili ka marrë përsipër rolin e arbitrit për të zgjidhur krizën politike. Ditën e martë, misioni i KiE-së do të ketë një konferencë për shtyp në orën 10.30, për të shprehur konkluzionet e vizitës.
#