Shtyhet demonstrata e VV-së për ditën e ratifikimit të marrëveshjes

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se protesta e paralajmëruar për nesër në mëngjes do të shtyhet për shkak të shtyrjes së ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend. Ata kanë thënë se demonstrata do të mbahet ditën e ratifikimit të marrëveshjes
“Sot mësuam se Kryeministri ka kërkuar zyrtarisht shtyrjen e ratifikimit të Marrëveshjes Thaçi-Daçiç. Kjo marrëveshje ka qenë e planifikuar të shqyrtohej në seancë plenare në Kuvendin e Kosovës të enjten, në datën 20 qershor, datë në të cilën Lëvizja VETËVENDOSJE! me krejt strukturat e saj i ka thirrur qytetarët e Kosovës në një demonstratë, për ta kundërshtuar këtë ratifikim”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Sipas tyre, shtyrja e datës së ratifikimit është një përpjekje e Qeverisë së Kosovës për të mos u përballur me qytetarët e angazhuar në demonstratë, me shpresën se ata do të lodhen dhe gatishmëria e tyre nuk do të jetë në të njëjtin nivel.
“Kjo shtyrje kërkohet me arsyetimin zyrtar se kryeministri e bashkëpunëtorët e tij do të shkojnë në Bruksel ditën e enjte, për të vazhduar negociatat. Kjo na e dëshmon edhe një herë se kjo marrëveshje nuk shënon fundin e negociatave, por vetëm një hap të ndërmjetëm në një proces të gjatë. Ky proces tashmë është e qartë se nuk ka për synim të çojë në njohjen e Kosovës nga Serbia, por vetëm në plotësimin e interesave të pandryshuara të Serbisë në Kosovë”, thuhet më tej./Indeksonline/