Kanadaja e interesuar për investime në kryeqytet

Kreu i Prishtinës, Isa Mustafa ka pritur sot ambasadoren e Kanadasë në Zagreb, ambasadore jo rezidente për Kosovë, Louise LaRocque.
“Ne u jemi mirënjohës dhe falënderues për atë çfarë Kanadaja ka bërë për Kosovën”, ka thënë Mustafa, kurse ambasadorja kanadeze ka shprehur interesimin e shtetit të saj për investime në kryeqytet. “Ne jemi duke shikuar mundësinë e investimeve në kryeqytet”, tha ambasadorja La Rocque e cila më pas u interesua të dëgjoj më shumë për fushat që Komuna e Prishtinës konsideron se është e nevojshme të investohet.
Si thuhet në komunikatën e Komunës, Mustafa ka theksuar se për Prishtinën të nevojshme për investime mbesin projektet që kanë të bëjnë me ruajtjen e ambientit, trajtimin e ujërave të zeza, riciklimin e mbeturinave por edhe trafiku urban. “Këto janë fushat për të cilat konsiderojmë se janë më së të nevojshme që të investohet, gjithnjë me qëllim të ngritjes së cilësisë së jetës të qytetarëve të kësaj komune”, është shprehur Mustafa./Indeksonline/