E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varfëria ekstreme, kërcënim për trazira sociale

Varfëria ekstreme, e cila përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë, në Kosovë ka arritur në 30 për qind, derisa varfëria e moderuar, e cila nënkupton jetesën me 5 dollarë në ditë, ka arritur në rreth 50 për qind.

Këto të dhëna që janë publikuar nga Banka Botërore kanë ngritur shqetësime të mëdha në Kosovë. Kjo gjendje e rëndë ekonomike dhe sociale e këtyre qytetarëve, sipas ekspertëve të ekonomisë, mund ta dërgojë vendin në trazira sociale.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismajl Kastrati i quan mjaft shqetësuese të dhënat e publikuara nga BB-ja për nivelin e lartë të varfërisë.

Kjo gjendje ekonomike dhe sociale, konsideron Kastrati, duhet të analizohet mirë dhe të merren hapa konkretë, në të kundërtën ky numër i personave të varfër, shton ai, do të shënojë rritje çdo ditë e më shumë.

“Raporti i Bankës Botërore është mjaft shqetësues, sepse numri i qytetarëve të varfër ekstrem dhe të moderuar është shumë i madh. Kjo gjendje është produkt i një ekonomi të paorganizuar, i një tregu të egër dhe një ekonomie tepër neoliberale, ku aspekti social është krejtësisht në dorën e dytë”, vlerëson Kastrati për Radion Evropa e Lirë.

Orientimi zhvillimor i Kosovës kryesisht bëhet përmes shërbimeve, e shumë më pak në zhvillimin e ekonomisë reale, posaçërisht prodhimit.

Sipas Kastratit, shteti i Kosovës më tepër është i interesuar që ta mbushë arkën e buxhetit përmes doganave, përmes tregtisë, e shumë më pak përmes orientimeve zhvillimore, përmes fuqizimit të eksportit, si dhe mbështetjes së sektorit të bujqësisë, i cili, siç thotë Kastrati, do të mund t’u ndihmonte të varfërve dhe do të zbuste problemin social.

“Në Kosovë, përveç jetës reale, e cila është mjaft e vështirë, është edhe një barrë psikologjike, sepse gjithnjë e më tepër po shkëputet një numër i vogël i shumë të pasurve dhe një numër i madh i shumë të varfërve, pra shtresa e mesme është gjithnjë e rrezikuar të kalojë në fazën e të varfërve dhe një numër i vogël pretendon të kalojë në fazën e të pasurve”, shton Kastrati.

Banka Botërore ka miratuar dy objektiva që kanë të bëjnë me eliminimin e varfërisë ekstreme deri në 2030 dhe promovimin gjithëpërfshirës të mirëqenies.

Theksi për uljen e varfërisë ekstreme është në përputhje me angazhimin për të pasur varfëri ekstreme të sanksionuar në objektivin e parë të Qëllimeve të Zhvillimit të Mijëvjeçarit, të cilat u miratuan në vitin 2000.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri thotë për REL se të dhënat e Bankës Botërore kanë qenë të pritura, pasi që institucionet e Kosovës nuk kanë bërë diçka më shumë për zbutjen e këtij problemi thelbësor.

“Mendoj që klima objektive e krijuar pas shpalljes së pavarësisë, marrja e kompetencave të plota në menaxhim me pasurinë dhe mundësitë për zhvillim nuk janë shfrytëzuar në masën e duhur dhe, në vend që të përmirësohet situata, të zhvillohet vendi, të zvogëlohen papunësia e varfëria, ne kemi një gjendje çdo herë të përkeqësuar nga viti në vit”, shprehet Shatri.

Sipas Shatrit varfërinë mund ta identifikosh shumë lehtë pasi ajo është e lartë në vendin tonë. Gati në çdo cep të rrugës ka lypsarë, të cilët kërkojnë lëmoshë. Sipas tij, e gjithë kjo gjendje e rëndë sociale mund të shkaktojë trazira sociale dhe destabilizim të situatës në vend.

“Derisa nuk ka investime, nuk ka hapje të vendeve të reja të punës, derisa nuk kalojmë nga ekonomia konsumuese në atë të prodhimit, normalisht se do të shkojmë duke u varfëruar dhe ka mundësi të përkeqësohet deri në shqetësim social që mund ta destabilizojë vendin edhe në aspektet tjera”, konsideron Shatri./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›